Vetëvendosje publikon alternativen e vet për listë të përbashkët, që u refuzue nga AAK

Ylli Hoxha nga Lëvizja Vetëvendosje e ka publikue propozimin e partisë së tij për formën e organizimit të opozitës me përfshimje edhe të shoqnise civile, propozim i refuzuem nga AAK e Ramush Haradinajt.

Hoxha në shkrimin e tij në Facebook tha se po e ban këtë për hir të opinionit publik.

Lexone alternativën e plotë që VV u ka ofrue AAK’s dhe NISMA’s:

Në mënyrë që të sqarohen për publikun, në mënyrë të sinqertë dhe jo të pavërtetë, ato që janë diskutuar brenda opozitës, më poshtë po ua paraqesim propozimin që VETËVENDOSJE! ua kishte bërë subjekteve opozitare për krijimin e Alternativës qytetare:
RREGULLORE ORGANIZATIVE
ALTERNATIVA
Prishtinë,
Mars 2016
HYRJE
ALTERNATIVA është bashkim i forcave opozitare në Republikën e Kosovës që kanë organizuar dhe vazhdojnë rezistencën kundër regjimit autoritar të instaluar nga koalicioni qeverisës LDK-PDK-Lista Srpska. Ky regjim i ka sjell Kosovës dy marrëveshje që e rrënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit: marrëveshja e 25 gushtit 2015 për “Zajednicën” dhe marrëveshja e 26 gushtit për demarkacionin me Malin e Zi. Për më shumë, regjimi e ka përkeqsuar situatën e përgjithshme socio-ekonomike të qytetarëve të Republikës duke e rënduar gjendjen në të gjithë sektorët, si dhe duke sunduar përmes taktikave të një shteti policor që ka tentuar vazhdimisht t’i shtypë zërat opozitarë me dhunë.
ALTERNATIVA synon të bashkojë të gjitha subjektet politike, sindikatat, organizatat dhe personat publikë që ndajnë parime të përafërta me anëtarët e ALTERNATIVËS për të krijuar një front sa më të gjerë shoqëror që do t’i ofrojë Kosovës një rrugëdalje nga kriza e përgjithshme ekonomiko-politike që ka kapluar vendin. ALTERNATIVA do të vazhdojë kundërshtimin ndaj regjimit për t’i hapur rrugë proceseve demokratike dhe për ta çliruar shtetin nga kapja që i është bërë nga partitë në pushtet. Anëtarët e ALTERNATIVËS do të harmonizojnë programet e tyre politike me qëllimin për të arritur një marrëveshje që do të prodhojë një platformë politike edhe për sektorët kyç – siç janë prodhimi vendas, arsimi dhe shëndetësia – që kanë qenë të neglizhuar dhe dëmtuar nga regjimi, si dhe një listë të përbashkët zgjedhore. Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme për daljen nga kriza, dhe ato duhet të mbahen sa më parë në Kosovë.
Parimet e drejtimit dhe funksionimit që paraqiten në këtë Rregullore Organizative synojnë ta ndihmojnë ALTERNATIVËN në arritjen e qëllimeve të saj përmes funksionalizimit të organeve që të punojnë në koordinimin e veprimtarisë politike.
STRUKTURA ORGANIZATIVE E ALTERNATIVËS
Drejtuesi i Këshillit
Këshilli Drejtues
3 nga Lëvizja Vetëvendosje
3 nga AAK
3 nga NISMA
3 nga lista e Shoqërisë Civile
Zëdhënësi i ALTERNATIVËS
Të tjerë (sipas vendimeve të Këshillit)
Drejtuesi i Këshillit
Kryesia e Këshillit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje
Kryetari i AAK-së
Kryetari i NISMËS
Kryetari i Listës së Shoqërisë Civile
Zëdhënësi i ALTERNATIVËS
Zëdhënësi i Alternativës
Grupe profesionale
sipas sektorëve
Grupe organizative
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni XX
ALTERNATIVA është bashkim i subjekteve politike dhe përfaqësuesëve të shoqërisë civile që kundërshtojnë regjimin autoritar të instaluar në Kosovë për t’i hapur rrugë proceseve demokratike që ofrojnë mundësinë për daljen nga kriza e përgjithshme politike dhe socio-ekonomike që ka kapluar vendin.
Neni XX
Themeluesit e ALTERNATIVËS janë subjektet politike në vijim: Lëvizja VETËVENDOSJE!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, NISMA për Kosovën dhe Lista e Shoqërisë Civile.
Neni XX
Hapësirat e punës së organeve të ALTERNATIVËS do të jenë ambientet ekzistuese të selive të themeluesëve si dhe hapësira të tjera që mund të caktohen nga organet e ALTERNATIVËS.
Neni XX
Anëtarët e ALTERNATIVËS do të harmonizojnë programet e tyre politike me qëllimin për të arritur një marrëveshje që do të prodhojë një platformë të përbashkët politike dhe një listë të përbashkët zgjedhore.
Neni XX
Organet e ALTERNATIVËS janë vendimmarrëse, ekzekutive dhe këshilldhënëse, dhe janë të emërtuara si në vijim:
1. Këshilli Drejtues (organ vendimmarrës),
2. Kryesia e Këshillit Drejtues (organ vendimmarrës),
3. Grupet punuesr organizative (organe ekzekutive),
4. Grupet punuese profesionale (organe këshilldhënëse).
Neni XX
Vendimet e organeve të ALTERNATIVËS merren në bazë të procedurave vendimmarrëse të kësaj Rregulloreje. Vendimet janë të detyrueshme dhe duhen zbatuar me përpikëri nga të gjithë anëtarët e organeve të ALTERNATIVËS, si dhe nga të gjithë anëtarët e subjekteve politike dhe organizatave që janë pjesë e ALTERNATIVËS.
ORGANET E ALTERNATIVËS
Këshilli Drejtues
Neni XX
Këshilli Drejtues është organi më i lartë vendimmarrës i ALTERNATIVËS.
Neni XX
Detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit Drejtues të ALTERNATIVËS janë:
1. E plotëson, ndryshon dhe miraton Rregulloren Organizative të ALTERNATIVËS me 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit Drejtues.
2. Formon Grupe Punuese Organizative dhe Profesionale për zbatimin e vendimeve të Këshillit Drejtues.
3. Miraton logon dhe simbolet përfaqësuese të ALTERNATIVËS.
4. E zgjedh Drejtuesin e Këshillit nga radhët e Lëvizjes VETËVENDSOJE! si subjekti me forcën më të madhe politike brenda ALTERNATIVËS.
5. E zgjedh zv/Drejtuesin e Këshillit në mesin e anëtarëve të Këshillit.
6. E zgjedh Zëdhënësin e ALTERNATIVËS nga radhët e shoqërisë civile.
7. Miraton Platformën Politike të ALTERNATIVËS.
8. Miraton bashkëpunimet me palë të treta.
9. Themelon shtabin e përgjithshëm zgjedhor dhe miraton strategjinë e fushatës zgjedhore.
10. Harton dhe miraton listën përfundimtare të përbashkët të kandidatëve të ALTERNTIVËS për në zgjedhjet parlamentare.
11. Merr vendime për ta regjistruar ALTERNATIVËN pranë organeve shtetërore si dhe për të ngritur çështje të ndryshme në institucionet publike përmes përfaqësuesve të ALTERNATIVËS në nivel qendror dhe lokal.
12. Merr vendim me 3/4 e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit Drejtues për shpërbërjen e ALTERNATIVËS.
Neni XX
Përbërja e Këshillit Drejtues të Alternativës
1. Përbërja e Këshillit Drejtues të Alternativës është si në vijim:
a. Tre përfaqësues të caktuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!,
b. Tre përfaqësues të caktuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës,
c. Tre përfaqësues të caktuar nga NISMA për Kosovën,
ç. Tre përfaqësues të caktuar nga Lista e Shoqërisë Civile,
d. Drejtuesi i Këshillit,
dh. Zëdhënësi i ALTERNATIVËS.
2. Së paku një nga tre përfaqësuesit e secilit prej katër subjekteve të para të përmendura në Pikën pararendëse duhet te jetë grua.
3. Së paku dy prej përfaqësuesëve që vijnë nga radhët e secilit prej tre subjekteve të para të përmenduara në Pikën 1 të këtij neni (Lëvizja VETËVENDOSJE!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën) duhet të jenë personat që mbajnë pozicionet në vijim:
a. Kryetari i subjektit politik,
b. Kryetari i Grupit Parlamentar.
4. Në mungesë të njërit prej anëtarëve të Këshillit Drejtues për arsye objektive në një mbledhje të caktuar, atëherë secili nga katër subjektet themeluese të ALTERNATIVËS mund ta zëvendësojë atë me një përfaqësues tjetër për atë mbledhje të caktuar përmes lajmërimit paraprak dërguar Drejtuesit të Këshillit.
5. Numri i anëtarëve të Këshillit Drejtues mund të rritet me miratimin e 2/3 të Këshillit të Drejtues.
Neni XX
Mbledhjet e Këshillit Drejtues të ALTERNATIVËS
1. Mbledhjet e zakonshme të Këshillit Drejtues mbahen dy herë në javë.
2. Mbledhjet e jashtëzakonshme i thërret Drejtuesi i Këshillit, Kryesia e Këshillit, ose 1/3 e anëtarëve të Këshilli me një kërkesë me shkrim.
3. Vendi ku mbahen mbledhjet e Këshillit Drejtues caktohet nga vetë ky organ.
4. Anëtarët e Këshillit të Drejtues duhet të informohen për mbledhjet e zakonshme më së paku 24 orë para ditës së mbajtjes së mbledhjes, ndërsa për mbledhjet e jashtëzakonshme më së paku 6 orë para mbajtjes së mbledhjes.
5. Mbledhjet e Këshillit Drejteues i udhëheq Drejtuesi i Këshillit. Në mungesë të Drejtuesit mbledhjet i udhëheq Zv/Drejtuesi i Këshillit.
6. Vendimet e Këshillit Drejtues merren me shumicë të thjeshtë votash në mbledhje që e përmbushin kuorumin me praninë e 2/3 të anëtarëve që e përbëjnë këtë organ. Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm rastet e specifikuara brenda kësaj Rregulloreje.
7. Nëse një anëtar i Këshillit Dretjeus mungon pa arsye në më shumë se dy mbledhje të zakonshme në vit, atëherë Këshilli Drejtues e zëvendëson në përputhje me dispozitat e kësaj Rregulloreje.
8. Anëtarët e Këshillit Drejtues informohen rregullisht mbi vendimet e organeve të tjera vendimmarrëse, ekzekutive dhe këshilluese, nëpërmjet Drejtuesit të Këshillit.
9. Anëtarët e Këshillit Drejtues duhet ta vërtetojnë pjesëmarrëjen e tyre në mbledhje duke nënshkruar në listën e pjesëmarrësve.
10. Këshilli Drejtues merr vendim për të ftuar persona që nuk janë anëtarë të këtij organi vendimmarrës për të ndjekur punimet e Këshillit, ose persona që nuk janë anëtarë të këtij organi por që paraqiten në Këshill për të bërë prezantime mbi çështje të caktuara.
Neni XX
Rendi i ditës dhe procesverbali i mbledhjeve të Këshillit Drejtues
1. Rendin e ditës për mbledhjet e Këshillit të Drejtues e përcakton Drejtuesi i Këshillit në koordinim me katër subjektet themeluese të ALTERNATIVËS.
2. Rendi i ditës u shpërndahet (në formë fizike ose elektronike) anëtarëve të Këshillit Drejtues bashkë me njoftimin për mbledhjen.
3. Rendi i ditës miratohet më shumicë të thjeshtë votash nga anëtarët e pranishëm të Këshillit të Përgjithshëm në mbledhje që përmbushin kuorumin. Pikat e rendit të ditës mund të ndryshohen ose të shtohen me kërkesë të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm dhe me miratimin e shumicës së thjeshtë të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.
4. Për secilën pikë të rendit të ditës minutazhi i zakonshëm në dispozicion të çdo anëtari të Këshillit është një herë 5 minuta, dhe një replikë një herë nga 2 minutë (për të njejtën çështje apo nëse emri i një anëtari përmendet nga diskutuesit e tjerë).
5. Procesverbali i mbledhjeve të Këshillit Drejtues përmbledh vendimet e asaj mbledhjeje dhe përmban informacion mbi pjesëmarrjen dhe mungesat e anëtarëve të Këshillit Drejtues.
6. Procesverbali i një mbledhjeje u shpërndahet anëtarëve të Këshillit Drejtues bashkë me rendin e ditës së mbledhjes së radhës.
7. Procesverbali i një mbledhjeje të Këshillit Drejtues miratohet në fillim të mbledhjes së radhës me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm në mbledhje që përmbush kuorumin. Në rast se ka vërejtje për procesverbalin, ai miratohet bashkë me ndryshimet
Neni XX
Detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtuesit të Këshillit janë si në vijim:
1. Përfaqëson ALTERNATIVËN me palë të treta, përveç rasteve kur vendoset ndryshe nga organet vendimmarrëse të ALTERNATIVËS.
2. I thërret dhe i drejton mbledhjet e zakonshme dhe të jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues dhe të Kryesisë së Këshillit.
3. Kujdeset për hartimin dhe shpërndarjen e rendit të ditës për mbledhjet e Këshillit Drejtues dhe të Kryesisë së Këshillit, në përputhje me dispozitat e kësaj Rregulloreje.
4. Ia jep dhe ia merr fjalën anëtarëve të Këshillit Drejtues gjatë mbledhjeve në përputhje me nenet e kësaj Rregulloreje, duke respektuar rendin e ditës dhe kohën në dispozicion për secilën temë të rendit të ditës.
5. E propozon krijimin e grupeve profesionale dhe organizative për zbatimin e vendimeve të veçanta që nuk janë parashikuar me këtë Rregullore.
6. Orienton dhe koordinon punën e Zëdhënësit të Alternativës në koordinim me Këshillin Drejtues dhe Kryesinë e Këshillit.
7. Cakton dy asistentë administrativë për punën që lidhet me përgatitjen dhe shpërndarjen e rendit të ditës dhe procesverbalit të mbledhjeve të Këshillit Drejtues dhe Kryesisë së Këshillit, dhe për mirëmbajtjen e arkivit të këtyre mbledhjeve.
Kryesia e Këshillit Drejtues
Neni XX
Kryesia e Këshillit Drejtues është organi më i lartë vendimmarrës i ALTERNATIVËS midis dy mbledhjeve të Këshillit të Drejtues.
Neni XX
Detyrat dhe përgjegjësitë e Kryesisë së ALTERNATIVËS janë:
1. Zbatimi i vendimeve të Këshillit Drejtues.
2. Mbikëqyr punën e organeve ekzekutive dhe këshilluese të ALTERNATIVËS.
3. I negocion me palë të treta marrëveshjet e bashkëpunimit.
4. Merr vendimeve për të gjitha deklarimet publike dhe aksionet politike në kuadër të
ALTERNATIVËS.
5. Thërret mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Drejtues për çështje që i konsideron të rëndësishme ose jashtë kompetencave të saj.
6. Merr e vendimeve për të ngritur çështje të ndryshme në institucionet publike përmes përfaqësuesve të anëtarëve të ALTERNATIVËS në këto institucione.
7. Merr vendimeve për të ngritur çështje të ndryshme për t’u zbatuar nga organet ekzekutive dhe këshilluese të ALTERNATIVËS.
13. Miraton sloganet e ALTERNATIVËS.
Neni XX
Përbërja e Kryesisë së Këshillit Drejtues të Alternativës
1. Përbërja e Kryesisë së Këshillit të Alternativës është si në vijim:
a. Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
b. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,
c. Kryetari i NISMËS për Kosovën,
ç. Kryetari i Listës së Shoqërisë Civile,
d. Drejtuesi i Këshillit,
dh. Zëdhënësi i ALTERNATIVËS.
2. Në mungesë të njërit prej anëtarëve të Kryesisë së Këshillit për arsye objektive në një mbledhje të caktuar, atëherë secili nga katër subjektet themeluese të ALTERNATIVËS mund ta zëvendësojë atë me një përfaqësues tjetër për atë mbledhje të caktuar përmes lajmërimit paraprak dërguar Drejtuesit të Këshillit.
3. Numri i anëtarëve të Kryesisë së Këshillit mund të rritet me miratimin e 2/3 të Këshillit të Drejtues.
Neni XX
Mbledhjet e Kryesisë së Këshillit Drejtues të ALTERNATIVËS
1. Mbledhjet e zakonshme të Kryesisë së Këshillit Drejtues mbahen një herë në javë.
2. Mbledhjet e jashtëzakonshme i thërret Drejtuesi i Këshillit, ose 1/3 e anëtarëve të Këshilli me një kërkesë me shkrim.
3. Vendi ku mbahen mbledhjet e Kryesisë së Këshillit caktohen nga vetë ky organ.
4. Anëtarët e Kryesisë së Këshillit duhet të informohen për mbledhjet e zakonshme më së paku 12 orë para ditës së mbajtjes së mbledhjes, ndërsa për mbledhjet e jashtëzakonshme më së paku 2 orë para mbajtjes së mbledhjes.
5. Mbledhjet e Kryesisë së Këshillit i udhëheq Drejtuesi i Këshillit.
6. Vendimet e Kryesisë së Këshillit merren me shumicë të thjeshtë votash në mbledhje që e përmbushin kuorumin me praninë e 3/4 të anëtarëve që e përbëjnë këtë organ. Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm rastet e specifikuara brenda kësaj Rregulloreje.
7. Anëtarët e Këshillit Drejtues informohen rregullisht mbi vendimet e organeve të tjera vendimmarrëse, ekzekutive dhe këshilluese, nëpërmjet Drejtuesit të Këshillit.
10. Kryesia e Këshillit merr vendim për te ftuar persona që nuk janë anëtarë të këtij organi vendimmarrës për të ndjekur punimet e Këshillit, ose persona që nuk janë anëtarë të këtij organi por që paraqiten në Kryesi për të bërë prezantime mbi çështje të caktuara.
Neni XX
Grupet organizative (për zbatimin e detyrave)
Neni XX
Grupe profesionale (për hulumtime dhe për harmonizimin e programeve politike për të nxjerr platformën e përbashkët)
MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN
Neni XX
Të gjtiha prononcimet publike në emër të ALTERNATIVËS bëhen nga Zëdhënësi i ALTERNATIVËS, përveç rasteve kur vendoset ndryshe nga Drejtuesi i Këshillit, Kryesia ose Këshillit Drejtues i ALTERNATIVËS.
Neni XX
Deklaratat për shtyp të ALTERNATIVËS dërgohen nga zëdhënësi i ALTERNATIVËS.
Neni XX
Mbledhjet e organve të ALTERNATIVËS nuk janë mediatike, përveç atyre rasteve kur vendoset ndryshe nga Kryesia e Këshillit ose Këshilli Drejtues.
Neni XX
Personat, subjektet politike dhe organizatat që janë anëtare të ALTERNATIVËS nuk mund të flasin në emër të ALTERNATIVËS në publik dhe mediatikisht pa miratimin e Kryesisë ose Këshillit Drejtues të ALTERNATIVËS.
Neni XX
Personat, subjektet politike dhe organizatat që janë anëtare të ALTERNATIVËS rezervojnë të drejtën për t’u shprehur në mënyrë autonome në publik dhe mediatikisht për tema që nuk janë trajtuar nga ALTERNATIVA dhe për të cilat ALTERNATIVA nuk ka mbajtur qëndrim.
FINANCIMI
DISPOZITA KALIMTARE
Neni XX
Kjo Rregullore hyn në fuqi pas miratimit në mbledhjen e parë themeluese të Këshillit Drejtues të ALTERNATIVËS.