Vetëvendosje reagon mbas notës së protestës nga Podgorica

Ky asht reagimi i plotë nga Vetëvendosja:

– Mali i Zi ia merr Kosovës mbi 8 mijë hektarë të territorit. Qeveria jonë e lodhët ia pranon pa hezitim.
– Mali i Zi është futur brenda territorit të Kosovës për të hequr tabelën e Republikës së Kosovës. Qeveria jonë e lodhët s’e thotë asnjë fjalë.
– Mali i Zi dërgon notë proteste tek Qeveria, ngase disa deputetë të Republikës e vendosën tabelën aty ku duhet të jetë. Qeveria jonë e lodhët struket dhe e shanë opozitën.
– Serbia e sjell Car Lazarin, i nderon varrezat e ushtarëve që na masakruan, rikolonizon veriun, etj. Qeveria jonë s’ka guxim as me fol, se lëre më me ndërmarrë diçka.
Me gjithë këtë agresion, simbolik e të drejtpërdrejtë, nga Serbia e nga Mali i Zi, Qeveria jonë e ka ulë kryet dhe s’ndihet e gjallë.
Është e thjeshtë: Kosova ka Qeveri vetëm për me e shtypë popullin dhe opozitën e saj; ka qeveri për me ia vjedhë buxhetin; ka qeveri për me i rehatu familjarët e ministrave dhe kryeministrit; ka qeveri për me i punësu krejt militantat partiak. Por nuk ka Qeveri për me ia ruajt sovranitetin. Kosova nuk ka Qeveri!