Vizita e nji presidenti kinez në Serbi mbas 32 vjete, nënshkruhen marrëveshje për zhvillimin ekonomik

Presidenti kinez Xi Jinping u takue me kryeministrin serb Aleksandar Vucic, për me i danë nji shtymje bashkëpunimit mes dy vendeve, por edhe atij mes shtetit komunist dhe Europës qendrore e asaj lindore në tansi.

Ma herët gjatë ditës, Jingping ka nënshkrue bashkë me homologun serb Tomislav Nikolic nji deklaratë të përbashkët që parashikon ngritjen e marrëdhanieve bilaterale në nivelin e nji partneriteti të ngushtë strategjik.

Ai kërkoi që të dyja palët të lëvizin ngadalë drejt nji shtimi të bashkëpunimit në lidhje me projektet madhore të infrastrukturës, tue theksue në mënyrë të veçantë se Kina asht e gatshme me punue me Serbinë për me afrue datën e vendosjes në funksion të hekurudhës Hungari-Serbi.

Të dy vendet, simbas tij, duhet me pershpejtue gjithashtu, strategjinë e zhvillimit kombëtar të Serbisë, e të sigurohen që marrëveshja e uzinës së çelikut Smederevo dhe të tjera projekte të randësishme të vihen në jetë tue respektue pritshmënitë në mënyrë që me krijue vende të reja pune, me përmirësue jetesën e njerëzve, me promovue rritjen ekonomike të Serbisë e me krijue nji situatë, nga e cila në fund të përfitojnë tana palët.

Kjo asht vizita e parë e nji presidenti kinez në Serbi prej 32 vjetësh. Mbas ndalesës në Beograd, Xi ka me udhëtue drejt Polonisë dhe Uzbekistanit.