Vjen edhe reagimi i LDK: Me rrena po e pengoni liberalizimin e vizave

Mbas reagimit të AAK’s në lidhje me deklaratat e Isa Mustafës që kishin të banin me uljen e shkallës së papunësisë, ka reague edhe LDK.

Kjo e fundit përmes nji kumtesë për media ka thanë përkundër që partia opozitare AAK po thotë se nuk ka rritje të ekonomisë, papunësia në Kosovë ka ra për 9.1 % dy vjetet e fundit.

Kumtesa e plotë e LDK’s:

“Lidhja Demokratike e Kosovës i gëzohet të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat konfirmojnë se papunësia në Kosovë ka rënë për 9,1 % dy vitet e fundit.

LDK-ja vlerëson se këto rezultate impresive janë fryt i punës dhe përkushtimit të Qeverisë së Kosovës, e cila përmes reformave ekonomike e fiskale, përmirësimit të ambientit të biznesit, forcimit të sektorit bujqësisë dhe fuqizimit të të gjitha fushave që lidhen me ekonominë, arriti përqindjen më të madhe të rritjes ekonomike në rajon, trend i cili po vazhdon, duke bërë që të bie edhe papunësia.

Me këtë rast, LDK është e befasuar me dëshpërimin që ka shkaktuar ky lajm i mirë te disa anëtarë partish opozitare, kryesisht të parëndësishëm dhe me deficite morale, politike e intelektuale.

Reagimet negative ndaj sukseseve në Kosovë, janë edhe një dëshmi se partitë dhe individët të cilët tash e dy vjet janë shndërruar në pengesën e vetme për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës përmes kauzave të rrejshme, po e vuajnë çdo të arritur për qytetarët dhe Kosovën.

Ata që gënjyen se Kosova po humb territor dhe e shitën gënjeshtrën e tyre për vërtetë, duke dëmtuar rëndë Kosovën, qytetarët dhe sovranitetin e Kosovës, sot po përkunden në djepin e gënjeshtrave dhe jo larg edhe subjektivitetin e tyre do ta përjetojnë si të gënjeshtërt”, thuhet aty.

Kjo kumtesë e LDK’s erdhi mbas reagimit të AAK’s, që mundeni me lexue ma poshtë:

Komunikata e AAK’s: Isa Mustafa, nëse jeni kryeministër, gjeni bosat e kazinove