Vrasjet e 21 Kallnorit, “pa dashje”

Dje Gjykata e Naltë e Shqipnisë ka zbardhë vendimin e “21 Kallnorit”, përmes të cilit u refuzue kërkesa e prokurorisë për denimin e ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi dhe ish- oficerit të gardës, Agim Llupo. Në materialin prej rreth 15 faqesh, kolegji penal i përbamë nga 5 gjyqtarët: Edmond Islamaj, Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj, Shkëlzen Selimi dhe Artan Zeneli, shpjegohet vetëm rruga që ka ndjekë dosja e masakrës nga Gjykata e Shkallës së Parë e deri në Apel.

Kolegji saktëson se mbasi ka ngue relacionin përkatës dhe mbasi e bisedoi çashtjen në tanësi vendosi:

“Mospranimin e rekursit të paraqitun nga Prokuroria e Apelit dhe të gjykuemit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, nëpërmjet avokatëve të tyne mbrojtës, kundër vendimit nr. 793, datë 18.09.2013, të Gjykatës së Apelit Tiranë”.

Gjykata e Naltë përmend faktin se, ish-kreu i Gardës, Prendi, u shpall ma s’pari i pafajshëm për “vrasje me dashje” nga Shkalla e Parë për akuzën e vrasjes së demonstruesit Faik Myrtaj, sikurse edhe Agim Llupos për vrasjen e Ziver Veizit. Kolegji radhit ma tej kronologjinë tue kujtue se si të dy zyrtarët e Gardës u dënuen për “vrasje me dashje nga pakujdesia”, tue marrë Prendi nji vit burg dhe Llupo tre vjet. Por, në rekursin e saj për ish-komandantin e gardës, Ndrea Prendin, thotë Gjykata e Naltë, prokuroria kërkon dënimin e tij për vrasje mbasi plumbi i gjetun në trupin e viktimës ka dalë nga pistoleta e tij dhe dashja për krimin njihet simbas prokurorisë në doktrinë, për sa kohë Prendi ishte i vetëdijshëm për veprimet që po kryente dhe rrezikshmëninë e këtyne veprimeve.

Por, gjykata shton ma tej edhe qëndrimin e të akuzuemit Prendi, i cili nga ana e tij ka kërkue pafajësinë dhe se ai simbas vetë atij nuk ka pasë asnji njohje me viktimën e aq ma tepër që ai nuk kishte dijeni se ku ndodhej viktima në momentin që ka qëllue mbi te.