Vucic evakuohet mbas gjetjes së armëve afër shtëpisë së familjes së tij

Në Serbi, policia tha se e ka evakuue të Shtunën kryeministrin serb Aleksandër Vucic dhe familjen e tij në nji “vend të sigurt”, pasi që gjeti nji sasi armësh, përfshi edhe nji raketahedhës afër shtëpisë së prindëve të tij, që ai e vizitonte shpesh.

Armët, ku kishte edhe granata dore dhe municione, janë gjetë në afërsi të Jajincit, afër nji udhëkryqi ku autokolona e kryeministrit Vucic ngadalësonte shpejtësinë derisa ai shkonte te prindët e tij, u tha gazetarëve ministri i mbrendshëm i Serbisë, Nebojsa Stefanovic.

Prindët e tij, Angelina dhe Andjelko, jetojnë në Jajinci. Vucic dhe familja e tij e ngushtë jetojnë në Beograd, ndërsa Stefanovic tha se ai asht dërgue diku tjetër mbas zbulimit të armëve.

Zbulimi që pasoi nji paralajmërim, përkeqëson atmosferën edhe ashtu të tensionueme në rajonin që po përballet me barrën e krizës së migruesve në Europë dhe ku vendet e Ballkanit vazhdimisht shkëmbejnë akuza për ndërhymje në punët e mbrendshme të njani-tjetrit.

“Kryeministri asht i sigurt sikurse edhe familja e tij … Asht shqetësuese që armët ishin vendosë në vendin ku autokolona e tij ngadalësonte shpejtësinë deri në 10 kilometra në orë”, tha ministri Stefanovic.

Agjencia ushtarake serbe e zbulimit asht përgjegjëse për sigurinë e kryeministrit, ndërsa pjesëtarët e Kobra’s, nji njësi elite e armatës, shërben si truprojë e tij personale.

Ministri Stefanovic, nuk deshti me kallxue se ku ishte kryeministri Vucic, kur u zbuluen armët. “Kjo asht informatë konfidenciale.. për çdo rast, ai asht në vend të sigurt tash”.

Tash për tash nuk ka pasë të arrestuem në lidhje me incidentin, që ndodhi pesë ditë mbasi që autoritetet arrestuen nji numër personash lidhun me përbetimin e dyshuem për ndërhymje në zgjedhjet e 16 Tetorit në Malin e Zi dhe mbas nji numri vrasjesh në stilin mafioz ndërmjet grupeve kriminale në Beograd./DW