Vucic vjen me lejen dhe mbrojtjen e Qeverisë së Kosovës

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vucic pritet që nesër me ardhë në Kosovë, e për sigurinë e tij ka me u kujdesë vetë Policia jonë.

Këtë e konfirmoi për Televizionin Rrokum zadhanësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Ai tha përmes telefonit se organet e sigurisë në vend janë përgjegjëse për me i ofrue përcjellje policore çdo personaliteti dhe niveli te naltë që viziton Kosovën.

Por lejet për me hy në territorin e Republikes së Kosovës i lëshon Ministria e Punëve të Jashtme, tha me tjerash zadhanësi Hoxha.

Ai nuk ka pranue me kallxue nëse Policia ka marrë ndonji kërkesë prej zyrtarëve të MPJ’s për me u kujdesë për sigurinë e Aleksandër Vucic’it, apo nëse ai ka leje për me hy në vendin tonë.

Dy ditë ma parë, gjatë vizitës në Junik, kryeministri u duk indiferent derisa përpiqej me e shmangë përgjegjësinë për këtë vizitë të homologut të tij serb:
Mirëpo sot nga Prizreni, Mustafa tha se Vucic vjen me lejen e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Nga ana tjetër, Drejtori i Zyrës së ashtuquejtun për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuric, asht shprehë i bindun se Kryeministri Vucic ka me vizitue Kosovën këtë të Dielle.

Simbas medias serbe, Vucic pritet me vizitue disa nga komunat që banohen me shumicë serbe.

Po simbas Djuric, kryeministri ka me iu drejtue qytetarëve serbë në Zubin Potok, ndërsa ka me i vizitue edhe vende tjera.

Kurse në kohën kur po pritet të ndodhë kjo vizitë, në veri të Kosovës janë vendosë postera dhe billboarde, ku i urohet mirëseardhje kryeministrit serb.

Sa i takon qëllimit të vizitës, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ljubomir Maric, tha sot se ajo bahet për me i tregue serbëve të Kosovës se nuk janë vetëm.

Vizita e Vucic don me thanë se serbët e Kosovës kanë me qenë pjesë e Serbisë, – tha ministri i Listës Serbe.

17 vjet mbas luftës e 8 vjet mbas shpalljes së pamvarsisë asnji kryeministër i Kosovës në asnji mandat nuk ka vizitue shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Ndërsa në fund të 2014, ishte kryeministri shqipëtar Edi Rama, i cili vizitoi këto komuna me shumicë shqiptare.

Nga ana tjetër, vizitat e zyrtarëve serbë në vendin tonë janë dukshëm të shpeshta, përfshi këtu edhe në nivel Presidentësh e Kryeministrash.