VV fton “qytetarët e pakënaqun” – sulmues me mollotov – në protestë paqësore

Sulmet ndaj shtëpisë së Kryeministrit, Zyrës së Presidencës, por edhe djegiet e veturave private të zyrtarëve politikë, mendohet se u kryen nga të vetëquejtunit “Qytetarë të pakënaqun”.
Mbasi Policia nuk kishte asnji të dyshuem, Lidhja Demokratike e Kosovës vendosi që me 13 Mars me e publikue videon e kamerave të sigurisë gjatë sulmit ndaj shtëpisë së Kryeministrit.

Si duket, kjo video i ka ndihmue shumë Policisë së Kosovës, sepse sot përmes nji komunikate për media, ajo njoftoi arrestimin e aktivistit të VV’s, Kushtrim Avdimetaj, me akuzën për sulm ndaj shtëpisë së Kryeministrit Mustafa, me 26 Fror, mbas seancës së Kuvendit, ku u votue Hashim Thaçi për President.
Sot, Vetëvendosja e quejti të pafajshëm aktivistin e saj të arrestuem nji ditë ma heret. Simbas nënkryetarit Driton Çaushi, regjimi ka nevojë për fajtorë të ri. Por kjo prrallë ka me u dëshmue e pavërtetë, deklaroi ai.
Vetëvendosja, po përmes nënkryetarit të saj Driton Çaushi, e ka ftue edhe këtë “Qytetar të Pakënaqun” në protestën e opozitës, me 26 Mars.
Lëshim apo jo, ende nuk dihet, por përmes profilit të tij në Facebook, Çaushi shkroi të Dillen, me 13 Mars, se VV i fton të gjithë të pakënaqunit me i lanë sulmet e me iu bashkue në protesta deri në largimin e kësaj Qeverie antikushtetuese.
E kjo ftesë e nënkryetarit të VV, për ekspertin e sigurisë, njiherit deputet i LDK’s, Nuredin Ibishi, nuk asht aspak e përshtatshme.
Simbas tij, as pozita e as opozita nuk duhet me dhanë deklarata të ashpra derisa drejtësia nuk e ka thanë ende fjalën e fundit.
Por, se a kanë me u zbardhë edhe sulmi ndaj Zyrës së Presidencës dhe djegia e veturave, mbetet me u pa në vazhdim.

Nëse ata persona bashkohen në protestë, ajo nuk ka me qenë paqësore, por ka me qenë protestë e dhunshme, paralajmëron Ibishi.