VV: Kthehemi në Kuvend për me parandalue votimin e Marrëveshjes me Malin e Zi

Ndryshe nga herët e tjera, Kryesia e Kuvendit sot u mblodh në orët 08:00 të mëngjesit për me paralajmërue mbajtjen e vetëm dy seancave për muejin Maj, atë me 18 dhe 25 Maj.

Kryetari Kadri Veseli, tha se prioritet mbetet aprovim i Ligjit për Pastrimin e Pareve dhe Financimin e Terrorizmit, por se kanë me vazhdue edhe disa pika të mbetuna nga rendi i ditë së seancave të kalueme.

E përderisa Demarkacioni me Malin e Zi asht nji prej kushteve për hymjen në fuqi të liberalizimit të vizave, Veseli tha se kjo s’asht në agjendën e punimeve për muejin Maj.

Mirëpo, tue paralajmërue edhe pika të reja të rendit të ditës, ai tha se asgja nuk mundet me e vue në rrezik liberalizimin e vizave.

E derisa bojkotin e seancave e kane konfirmue AAK dhe Nisma, Lëvizja Vetëvendosje thotë se ka me iu kthye Kuvendit për me kundërshtue Demarkacionin me Malin e Zi, nëse ai futet në rendin e ditës.

Mbetet me u pa nëse Komisioni për Punë të Jashtme ka me ia procedue Kuvendit Demarkacionin, mbasi ishte vetë eurokomisioneri Dimitris Avramopoulos, që kërkoi nji javë ma parë në Prishtinë, ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, para fuqizimit të lëvizjes së lirë.