VV: Qeveria duhet me parandalue projektin e Serbisë në Veri

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Qeveria e Kosovës duhet me marrë masa për parandalimin e projektit të Serbisë, që po synon ndërtimin e 300 shtëpive për serbët në veri Kosovës. Simbas VV’s, qeveritarët po japin vetëm deklarata publike, ndërkohë që qasjen ndaj këtij problem e kanë jashtëzakonisht të damshme.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri konsideron se projekti për ndërtimin e 300 shtëpive në Veri, shpërfaqë mënyrën se si ka me funksionue Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Ymeri tha se, nji projekt i tillë synon me ndryshue në mënyrë demografike përbamjen e popullsisë në atë pjesë, që simbas tij, në këtë mënyrë Serbia synon me i kthye aty serbët e zhvendosun.

Ai tha se, një projekt i tillë nuk duhet lejue me u implementue dhe se nuk duhet lejue ndërhymje të tilla në Republikën e Kosovës. Derisa për marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, tha se asht marrëveshje e vdekun.

Simbas Ymerit, Republika e Kosovës asnjiherë nuk ka me qenë “pre e kusuritjes për interesa personale të politikanëve të korruptuem që e kanë zaptue shtetin”.

Ndërsa, kur u pyet për vazhdimin e mandatit të EULEX’it në Kosovë, Ymeri tha se ai mision ka qenë nji eksperiment, i cili ka dështue.