WikiLeaks: Serbia gati kishte bind Maldivet me anulue njohjen e Kosovës (foto)

Serbia gjithnji asht angazhue përmes rrugëve diplomatike për me parandalue që Kosova m’u njoft ndërkombëtarisht, qoftë nga shtete apo nga organizata ndërkombëtare.

Por, ka raste edhe kur Serbia ka lobue aktivisht që shtete të ndryshme me tërheqë njohjet e tyne, edhe mbasi ato ishin zyrtarizuar.

Kështu ndodhi me Republikën e Maldiveve, simbas nji dokumenti të shpërndamë nga WikiLeaks.

 

Lexoni tekstin e plotë

 

Në këtë kabllogram të klasifikuar, që është publikuar nga Wikileaks më 9 mars 2009, thuhet që Serbia kishte përdorur lidhjet e saj me liderë në Maldive për të tentuar tërheqjen e njohjes së shtetit të Kosovës nga Republika e Maldiveve. Shteti ishullor e kishte njohur Kosovën më 19 shkurt 2009, sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, shkruan gazetametro.net.

Kabllogrami në fjalë i ishte dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit nga ish-Ambasadori amerikan në Sri Lankë, Robert Blake.

Në këtë komunikim që u publikua nga Wikileaks thuhet që Ministri i Jashtëm i Maldiveve, Ahmed Shaheed, kishte kontaktuar ambasadorin amerikan më 6 mars 2009 dhe e kishte informuar që brenda Qeverisë së Maldiveve ka mospajtime rreth njohjes së Kosovës.

Tri ditë më vonë, Shaheed kishte raportuar që Serbia po lobonte brenda Qeverisë së vendit që njohja për Kosovën të tërhiqej. Shaheed kishte raportuar që aktivistë të organizatës serbe OTPOR kishin qëndruar në Maldive për të lobuar te ish-Presidenti i vendit, Mohamed Nasheed.

“Shaheed na ka thënë neve që Srdja Popovic (ish-lideri i OTPOR) kishte ardhur personalisht, bashkë me persona të tjerë, në kryeqytetin e Maldiveve, Male, për të shtyrë këtë çështje më tutje”, thuhet në kabllogramin e publikuar nga Wikileaks.

Srdja Popovic

Në paragrafin e fundit të këtij telegrami, thuhet që Maldivet kishin kërkuar nga atëbotë Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, që ta dërgojë në Maldive një letër falënderimi për njohjen e Kosovës, veprim ky që do të parandalonte serbët që të kthejnë prapa njohjen për Kosovën.

Wikileaks është organizata e formuar nga aktivisti Julian Assange, që lufton për të zbuluar veprimet e qeverisë amerikane dhe për t’i publikuar komunikimet e diplomatëve amerikanë rreth botës. Njohja e Maldiveve nuk ishte tërhequr asnjëherë dhe shteti ishullor mbetet një prej vendeve të para që kanë njohur vendin. 

 

Shperndaje në: