Wolfgang Petritsch: Dhuna po e rrezikon liberalizimin. Kosova po e humb përkrahjen

I derguemi special i Bashkimit Europian për Kosovën në vitet 1998-1999, Wolfgang Petritsch, i cili ishte edhe negociatori kryesor i BE’s në bisedimet për Kosovën në Rambouillet dhe Paris në vitin 1999 edhe ma tutje asht tue i përcjellë zhvillimet në Kosovë.

Në nji intervistë për Republika.info, diplomati i njohun austriak Wolfgang Petritsch ka folë për krizën politike në Kosovë, liberalizimin e vizave dhe europianizimin e Ballkanit Perëndimor.

Tue fol për situatën politike, Petritsch thotë se portretizimi i Kosovës me gaz lotsjellës në botë ka zbeh pamjen e nji vendi me stabilitet politik.

“Dhuna dhe demokracia janë të pabashkueme. Kosova ka humb shumë simpati në muejt e fundit. I bashkohem apelit urgjent të demokracisë europiane, se perdorimi i dhunës psikike, përdorimi i bombave të zjarrit, pengimi brutal i procesit parlamentar janë veprime të denueshme”, ka thanë Petritsch.

Ai ka folë edhe për ndikimin që mund të ketë përdorimi i dhunës në procesin e liberalizimit të vizave dhe në perspektivën europiane të Kosovës.

Ambasadori Petritsch ka thanë se liberalizimi i vizave padyshim që asht nji hap i ardhshëm dhe shumë i randësishëm për Kosovën, por ai nuk mund të ndryshojë situatën e të prekunve, derisa nuk do të plotësohen në plotni kërkesat e Bashkimit Europian.