Zbardhet informacioni shokues: Po pregaditej sulm gjatë ndeshjes Shqipni-Izrael

Terrorizmi, konfliktet mes shteteve, tuta për nji luftë si dhe katastrofat natyrore janë çashtjet ma të diskutueme kudo në botë që rrezikojnë jetën njerëzore.

Ndërkohë, nji informacion shokues asht publikue sot nga Panorama, se arrestimet e bame ditën e Diellë në Shkodër, doket se kanë ardhë mbas informacioneve të mbërrime në Shqipni nga ana e shërbimeve sekrete izraelite.

Arrestimi i katër personave të dyshuem për terrorizëm në Shkodër javën e kalueme asht ba mbas sinjalizimeve për pregaditjen e incidenteve të dhunshme gjatë ndeshjes Shqipni- Izrael, e cila kuhet më 12 Nandor 2016 në Shkodër.

Burime të Prokurorisë kanë thanë se thelbi i dosjes që çoi në arrestimin e shtetasve Ergys Fasllia, berber, Bekim Protopapa, mjek, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani, të tanë besimtarë myslimanë, ka qenë nji raport i mbërrimë nga shërbimi sekret izraelit, MOSSAD.

Mësohet se ky shërbim kishte vnue në dijeni me anë të informacionit shkresor Shërbimin Sekret Shqiptar në lidhje me “disa përpjekje që individë të caktuem po bënin për sigurimin e landëve plasëse, që kishin me u tentue me u fitë në stadiumin e qytetit të Shkodrës”. Informacioni i ardhun nga jashtë mësohet se ka të dhana konkrete për llojin e landës që kishte me u tentue me u përdorë për prishjen e rendit gjatë ndeshjes Shqipni-Izrael, por hetuesit nuk pranojnë të japin hollësi.

Po kështu, burimet e hetimit nuk pranuen me konfirmue zyrtarisht lajmin, por nuk e mohuen atë tue pranue se dosja ndaj katër të arrestuemve “ka prova të ardhuna nga jashtë vendit, por të njohuna e të vlerësueme në rrugë procedurale nga Prokuroria e Krimeve të Randa”.

Me kërkesë nga kjo e fundit, çashtja po mbahet në sekret të plotë, ndërsa edhe Policia ishte porositë mos me i ba publike identitetet e plota të personave të arrestuem. Ata simbas hetimit kishin lidhje me grupin prej 7 personash të arrestuem në Kosovë të Shtunën e javës që shkoi, për të cilët asht thanë se “po ndërmerrnin veprime pregaditore për kryemje sulmesh”.

INFORMACIONI I MOSSAD

MOSSAD duket se është angazhuar në këtë çështje me qëllim sigurimin e paprekshmërisë fizike të skuadrës kombëtare të Izraelit gjatë udhëtimit në Shqipëri dhe zhvillimit të ndeshjes së vlefshme për “Botërorin 2018”.
Jozyrtarisht, burimet e Prokurorisë thanë se informacioni i përcjellë nga Shërbimi Sekret Izraelit është verifikuar e konfirmuar brenda pak ditësh nga strukturat e sigurisë në Shqipëri se kanë vënë menjëherë në dijeni Prokurorinë, duke kërkuar autorizimet e nevojshme me qëllim kryerjen e veprimeve hetimore të vëzhgimit të personave të dyshuar.

Informacioni i përcjellë është kryqëzuar edhe me informacione të Federatës Shqiptare të Futbollit, në lidhje me emrat e personave që kanë blerë bileta për të qenë prezentë në “Loro Boriçi” gjatë ndeshjes të së shtunës. Sipas burimeve të organit të akuzës, vëzhgimi disaditor në Shkodër konfirmoi informacionin e ardhur nga jashtë duke sjellë kështu edhe arrestimin e katër personave të dyshuar.

Ata ishin të skeduar edhe më parë për aktivitetin e tyre, pasi ishin filmuar teksa merrnin pjesë në procesin gjyqësor ndaj grupit të 9 xhihadistëve të akuzuar për rekrutimet në Siri.
Po sipas akuzës, Ergys Fasllia dhe Bekim Protopapa kanë qenë frekuentues të xhamisë ilegale të Unazës së Re në Tiranë dhe aktivë në thirrjet fetare të bëra brenda Gjykatës së Krimeve të Rënda gjatë procesit ndaj imamëve të vetëshpallur, Genci Balla dhe Byjar Hysa, të akuzuar se me shtatë pasues kanë rekrutuar më se 70 shtetas shqiptarë që kanë shkuar në Siri për pjesëmarrje në luftime të armatosura. /Panorama/