Zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë: Tahiri diskuton me zyrtarët e BE’s

editaaaa

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka pritë dje në takim nji delegacion të Bashkimit Europian të kryesuem nga Thomas Busch.

Qëllimi i këtij takimi ka qenë shqyrtimi i gjendjes në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit me fokus të veçantë për zhbllokimin e atyne, të cilat nuk po zbatohen nga ana e Serbisë.

Simbas nji komunikate të Qeverisë së Kosovës, ministrja Tahiri tha se Qeveria e Kosovës asht e përkushtueme për dialogun për fqijësi të mirë, sepse asht shumë i randësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe për integrimin e Kosovës në BE, ku fqijësia e mirë asht njana nga kushtet kryesore.

“Mbi këto baza, dialogu i Brukselit ka ndihmue shumë Kosovën në rrugën e integrimit europian, çka asht konfirmue me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE’s dhe rekomandimin për liberalizimin e vizave. Për këto arsye na edhe kemi qenë gjithnji serioz në zbatimin e të gjitha obligimeve që dalin nga Marrëveshjet e Brukselit. Mirëpo, tash e sa kohë Serbia ka bllokue zbatimin e marrëveshjeve për çashtjen e kodit telefonik shtetnor për Kosovën, pamvarësimin e KOSTT’it dhe largimin e barrikadës nga ura e Mitrovicës dhe kthimin e saj në nji urë bashkuese të lëvizjes së lirë”, theksoi Tahiri.

“Qëndrimi jonë si Qeveri për këtë situatë asht i qartë dhe i njohun për juve si BE, se pa u zbatue këto tre marrëveshje të randësishme për neve, nuk kemi me ndërmarrë asnji hap rreth zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë”, tha Tahiri.