Zbogar: Politikanët po merren veç me veten, e jo me interesat e qytetarëve

Politikanët në gjashtë muejt e fundit po merren vetëm me veten e tyre, e jo me ato që janë në interes të qytetarëve, ka thanë përfaqësuesi special i BE’s në Kosovë, Samuel Zbogar.

Ai ka theksue se politikanët duhet të merren me ato çashtje, të cilat kishin me ia lehtësue jetën qytetarëve.

Zhbogar, tue folë në nji emision në televizionin publik të Kosovës në gjuhën serbe, ka thanë se tani që Kosova e ka zgjedh Presidentin e ri, i njajti do duhej të vazhdonte me kërkue zgjidhje në dialogun politik mes Qeverisë dhe opozitës.

“Qëllimi i tij kryesor do duhej të ishte përmirësimi i jetës së qytetarëve”, tha Zbogar.

Simbas shefit të Zyrës së BE’s në Prishtinë, gjendja momentale politike asht brengosëse, ndërsa tha se kjo gjendje duhet stabilizue.

“Dy marrëveshje, në njifarë mënyre, e kanë përshpejtue këtë polarizim ndërsa ma mbas, me gaz lotsjellës e me të gjitha aksionet policore asht përkeqësuar situata”, tha ai.

Zbogar ka potencue se Brukseli zyrtar dënon dhunën në Parlament dhe për të nuk ka justifikim, ndërsa ka shtue se bashkësia ndërkombëtare nuk ka me ndërhy në marrëdhanien mes Qeverisë dhe opozitës.

“Prishtina duhet që vetë me dëshmue se mundet me zgjidhë krizën politike me të cilën po përballet tash ma shumë se gjashtë muej”, ka shtue Zbogar.

“Nëse ka ma shumë dialog dhe nëse palët do flisnin ma shumë, por edhe t’i ndëgjonin të tjerët çka folin, atëherë përmes këtij dialogu mund të themelohet asociacioni, në atë formë që serbët të jenë të kënaqun e të qetë se janë të mbrojtun mjaftueshëm, ndërsa në të njajtën kohë të kuptojnë edhe shqiptarët se kjo nuk do me thanë ndamje e Kosovës”, vlerëson Zbogar.

Samuel Zhbogar pret që Gjykata Speciale për krime lufte me i qartësue tana pretendimet e raportit të senatorit Dick Marty, mbasi që në të kundërtën, Kosova gjithmonë ka me u ndërlidh me, qysh ka thanë ai, “akuzat e tmerrshme të këtij raporti”.

“Kjo asht nji re e zezë mbi Kosovën, dhe vetëm kjo gjykatë mundet me largue atë”, ka përfundue Zbogar.