Zyrtarë të shtetit t’përfshimë në trafikimin e prostitutave

Gjashtë vajza kosovare këtë vit janë detyrue me shitë trupin për me sigurue kafshatën e gojës. Ato punojnë si kamariere në lokale të natës, bare e restorante, ndërsa kryejnë edhe shërbime seksuale me pagesë, me urdhën të bosave të tyne, napër shtëpi private.

Gazeta Fjala mëson se numri i vajzave që detyrohen në prostitucion po rritet nga viti në vit.

Vetëm gjatë vitit të kaluem, 30 femna ishin viktima të prostitucionit, pjesa ma e madhe e të cilave janë nën moshën 18 vjeçare.

Simbas të dhanave nga Policia e Kosovës, 25 ishin nga Kosova. Ndërsa, janë arrestue edhe katër shtetase të Shqipnisë dhe nji nga Serbia që kryenin veprimtari të tilla në Kosovë.

Gjatë vitit të kaluem, katërmbëdhetë femna nën moshën 18 vjeçare kanë ra në duert e grupeve trafikante, të cilat janë shfrytëzue për prostitucion.

E, trafikantë del me qenë edhe zyrtarë të naltë të shtetit.

Autoritetet kosovare vjet arrestuen nji polic dhe nji zyrtar të naltë të administratës lokale për krime që lidhen me trafikimin.

“Shumica e viktimave të trafikimit ende identifikohen në lokale nate-bare dhe restorante, por janë rritë edhe rastet kur, viktimat identifikohen edhe në shtëpi private /apartamente, etj.”, thonë në Policinë e Kosovës.