104-vjetori i Pamvarësisë së Shqipnisë!

Shqipnia dhe krejt shqiptarët festojnë sot 104-vjetorin e Pamvarësisë.

Më 28 Nandor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë tue e shpall Shqipninë shtet sovran dhe të pamvarun.

28 Nandori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, nji ditë e randësishme për krejt shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.

Më 28 Nandor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i Qeverisë së shtetit Shqiptar.

“Fqijtë tanë nuk duhet me u rrejt me lakmi, se shqiptari s’e duron robninë. Historia e shekujve të kalueme e deshmon këtë të vërtetë. Ky truell asht atdheu ynë. Na e kemi gjuhën tonë, zakonet tona, kulturën tonë. Ndaj, sot, të mbledhun në këtë kuvend të madh historik, na shprehim para gjithë botës vullnetin e popullit tonë sovran”, tha ndër të tjera Ismail Qemali kur e ngriti flamurin në Vlorë.

Ma shumë se nji e treta e delegatëve të Kuvendit ishin nga viset e Kosovës. Pamvarësia u shpall për krejt trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.

Megjithë ndërhymjet e parreshtuna diplomatike të Ismail Qemalit dhe të Qeverisë Shqiptare, në krejt institucionet e qarqeve ndërkombëtare, gjashtë fuqitë e mëdha të kohës, kanë lejue copëtimin e tokave shqiptare.

Kështu, në konferencën e ambasadorëve në Londër, më 1913, pa përfill luftën çlirimtare as vullnetin e popullit tonë, u morën vendime tragjike kundër Shqipnisë dhe shqiptarëve.

Ma shumë se gjysa e tokava ju dhuruen fqijëve: Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë.