17 vjet nga masakra e Mejës

masakra-e-mejes

Para 17 viteve, më 27 Prill 1999 forcat serbe rrethuen “Reken e Keqe” dhe “Lugun e Carragojës” në rrethinën e Gjakovës.

Mbrenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra ma e madhe në luftën e Kosovës, gjatë viteve 1998-1999.

Në nji operacion të planifikuem u ndërprenë të gjitha rrugët tue lanë të hapuna vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Grumbullimi i mashkujve në grupe nga mosha 15-60 vjeçare filloi n’orët e hershme të mëngjesit, në nji bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatna të rrethit të Gjakovës tue i ekzekutue krejt mashkujt shtëpi për shtëpi.

Njisitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuem krijuen kordonin me imazhet e Srebrenicës tue ekzekutue 377 mashkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijue me lojnat e juristëve të Miloshevic’it me 27 Prill 1992.

Atë ditë asnjani nga të ndaluemit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja.
Martirëve të ranë në këtë masakër ju asht ngrit Qendra Përkujtimore – 27 Prilli në Lëndinën e Pikëllimit në fshatin Meje të Gjakovës.