5 nobelistat: Trashëgimia kulturore asht në rrezik

Nji ditë para konferencës së Abu Dhabit për trashëgiminë në rrezik, pesë fitues të çmimit Nobel ju kërkuen sot të gjithë pjesëmarrësve me marrë përsipër përgjegjësitë e tyne përballë kësaj sfide historike dhe me reague për me i mbrojtë trashëgimitë kulturore të njerëzimit.

Bashkëdrejtue nga Franca dhe Emiratet e Bashkueme Arabe dhe nën patronazhin e UNESCO’s, konferenca e Abu Dhabit ka me i mbledhë të Premten dhe të Shtunën përfaqësuesit e 40 vendeve që kanë me diskutue për nji fond të veçantë prej 100 milionë dollarëve dhe nji rrjet ndërkombëtar për mbrojtjen e trashëgimive të kërcënueme nga konfliktet.

“Në Bamiyan (Afganistan), Mosul (Irak), Palmyre (Siri), Tombouctou (Mali) dhe vende tjera, shumë vepra janë shkatërrue dhe krejt njerëzimi asht prekë”, shkruejnë pesë fituesit e çmimit Nobel mes të cilëve dhe Aung San Suu Kyi, ish-opozitarja që ka marrë postin e ministres birmane të Punëve të Jashtme.

Përveç Suu Kyi, teksti asht nënshkrue nga Kofi Annan, ish-sekretari i përgjithshëm i OKB’s dhe fitues i çmimit Nobel për Paqe në 2001, Helen Johnson Sirleaf, presidente e Liberisë dhe Nobeli për Paqen në 2011, Orhan Pamuk, shkrimtar turk dhe Nobeli për Letërsinë në 2006 dhe Mario Vargas Llosa, shkrimtar peruan dhe Nobeli për Letërsinë në 2010.