Ahmet Gjanaj, zani i shqiptarëve në parlamentin e Brukselit

Emnat shqiptarë nëpër botë nuk janë edhe të shumtë. Edhe nëse njihen si shqiptarë, zakonisht emnat i takojnë sferës së artistëve.

Por jo gjithçka që ka komuniteti shqiptar, janë Rita Ora, Eliza Dushku, Dua Lipa apo edhe futbollistët si Lorik Cana, Granit Xhaka e të tjerë.

Para du vjete, Ahmet Gjanaj arriti me fitue për 10 vota vendin si deputet i Parlamentit të Brukselit.

N’intervistë për Televizionin Rrokum, ai thotë se u shty për me i hy garës për këtë nga mungesa e zanit të shqiptarëve në instancat ma të nalta.

Gjanaj thote se asht i hapun për me ndigju çdo problem që kanë shqiptarët dhe me ua gjetë atyne zgjidhjen mbrenda mundësive.

Ndërsa për valën e emigrantëve shqiptarë e sidosmos të kosovarë drejt BE’s dhe Belgjikës, deputeti Gjanaj thotë se asht hapë nji qendër për pritjen e tyne, por nuk ka shpresë që ata kanë me fitue dokumenta belgë.

Si qytetar i Brukselit, Gjanaj tregon për sulmet terroriste të së Martes. Simbas tij, autoritetet e sigurisë ishin në dijeni se ka me ndodhë nji sulm, por ata nuk arritën me gjetë në kohë cakun e këtij sulmi.

Gjanaj ka nji kandvështrim origjinal për zhdukjen e celulës së terroristeve. Simbas tij, hedhja n’ajër po u humb atyne pjesëtarë dhe nga kjo gja kanë me u ulë edhe akte të tilla.

Gjanaj thotë se që nga sulmet e 13 Nandorit në Paris, Belgjika asht mobilizue me forca ushtrie pothuejse në çdo cep të vendit.