AKSH del n’skenë. Ka ‘selam’ për qeveritarët!

aksh

Në përvjetorin e 13’të të ranies së dy pjesëtarëve të tyne, Armata Kombëtare Shqiptare sot n’orët e para të mëngjesit ka ba paraqitjen e radhës para publikut, me ç’rast kanë shpreh shqetësimin e tyne për zhvillimet aktuale politike në trojet shqiptare.

Këtë paraqitje AKSH e ka ba në nji lokacion në rajonin e Mitrovicës, ku i ka akuzu disa ish luftarë të lirisë që po qeverisin, se “janë fut në kurth nga Serbia për shkak të marrëdhanieve tregtare dhe lakmisë për me i mbush xhepat”.

Me ftesën e udhëheqësve të AKSH, gazetari i portalit Veriu.info, ka qenë i pranishëm në momentin kur Njisisë Speciale të AKSH iu lexu letra e dërgueme nga komandanti i përgjithshëm i kësaj organizate.
“Pushtimi i trojeve shqiptare dhe ma vonë rezistenca për me i  mbrojte trojet shqiptare nën sundim, i detyroi atdhetarët shqiptarë që me 4 Dhetor të vitit 1999 të formojnë AKSH’n, e cila që nga ai moment e deri më 2004 ka krye shumë akcione në shërbim të interesave kombëtare”, u tha në letrën e dërgueme, raporton Veriu.info.

Me këtë rast u tha se 12 Prilli i vitit 2003 ishte data ku ranë deshmor Islam Berisha dhe Hamëz Behrami dhe nga atëherë AKSH doli hapun.
Veriu.info, ka zhvillu edhe nji bisedë të shkurtë me njanin nga drejtuesit e AKSH’s, i cili ka tregu se kjo organizatë shtrihet në Shqipni, Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe në disa pjesë të Kosovës.

Ai ka thanë se forcat e NATO’s i konsiderojnë forca mike, sikurse që i ka vlerësue edhe institucionet e Kosovës, por ka thanë se nëse asht nevoja AKSH do të mobilizohet shumë shpejt.
Tue mos pranue me tregue saktësisht në cilat pjesë të Kosovës shtrihet, drejtuesi i AKSH ka thanë se kjo organizatë ka njisi, batalione, brigada, njisi speciale, për të cilat thotë se janë të stërvituna mirë.

I pyetun se ku e ka selinë AKSH, komandanti nuk ka pranue me kallxue për shkak të ndjeshmënisë së rastit, por ka thanë AKSH e përbajnë popullata shqiptare, e cila simbas tij gjendet në institucione dhe gjitha veprimtaritë e Kosovës.

“Kemi përkrahjen e madhe të tyne, kemi strukturat e shtrime në të gjitha pjesët e Kosovës dhe gjithmonë na e dhanë nji përkrahje shumë të madhe”, ka thanë ai.