Amerikanja, letër shqiptarëve: Mos ma shkatërroni Valbonën!

Amerikanja, Catherine Bohne, e cila qe disa vjet jeton në Valbonë, u drejtohet me nji letër tanë shqiptarëve dhe u kërkon të mos lejojnë ta shkatërrojnë Valbonën.
Mbasi, nëse ndodh kjo e cila asht në kundërshtim të hapun me ligjin, atëherë e ardhmja asht e zezë për Shqipninë dhe jo vetëm për Valbonën.
Për me jua risjellë në vëmendje. Sot, kur në Tiranë po zhvillohet nji rrëmujë e madhe, ku temë kryesore e njerëzve janë importimi i plehnave apo hashashi, nji amerikane u lëshon alarmin shqiptarëve për ndërtimin e HEC në Valbonë.
Kjo asht letra e saj e hapun për shqiptarët, por edhe për qeverinë e Shqipnisë:
Sot në ora 8 të mëngjesit kanë mbërritur buldozerët në Dragobi dhe Maskollatë, në Parkun Kombëtar të Valbonës. Që nga ora 11.00 në male jehonte zhurma e shkatërrimit. Veprimet e sotme janë të fundit në betejën, që nisi në janar 2016, kur u mësua për planet për të ndërtuar 14 HEC-e gjatë vetëm 30 kilometrave në lumin e Valbonës, tetë nga të cilat janë krejtësisht në brendësi të Parkut Kombëtar.
Duke ndjekur procesin formal ligjor, banorët u dorëzuan një numër ankesash zyrtare agjencive të ndryshme qeveritare, ku vunë në dukje që nga procedurat e këqija të Mjedisit, tek mungesa e informimit për publikun dhe rreziqet ekonomike që vijnë nga projektet. Në të njëjtën kohë, u harxhua shumë energji në demonstrime publike për të tërhequr vëmendjen e medias dhe në shkallë vendi.
Shqetësimet e banorëve u dëgjuan dhe u mbështetën nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, të tilla si ËËF, EuroNatur dhe Riverëatch, të cilat bashkuan zërat e tyre drejt institucioneve të ndryshme qeveritare në nivelet më të larta. Për fat të keq, ka patur pak ose aspak përgjigje deri tani nga qeveria shqiptare. U pranuan zyrtarisht vetëm pak ankesa. U dërgua një përgjigje, duke iu referuar një ankese të dikujt tjetër, që nuk kishte të bënte me ankesën e dërguar.
Në asnjë rast nuk u ndërmor një veprim konkret dhe në asnjë rast nuk u dërgua ndonjë informacion i kërkuar. Ndërkohë, duke qenë se kishin konsumuar të gjitha procedurat e duhura ligjore dhe përballë rezultateve tejet të pakënaqshme, banorët e zonës të përfaqësuar nga OJF TOKA pajtuan avokatë për të ngritur padi kundër qeverisë.
Tani kemi të bëjmë me një garë kundër kohës në Valbonë për të parë se çfarë do të ndodhë më tej. Nga një anë, kemi banorët e zonës që kërkojnë mbrojtje të mjedisit, ruajtje të burimeve natyrore dhe kulturore të Shqipërisë, që shprehin shqetësim për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të shumëllojshëm ekonomik dhe që dëshirojnë të ushtrohet procesi ligjor i duhur dhe zbatimi i legjislacioni shqiptar.
Nga ana tjetër, kemi kompanitë ndërtuese dhe, për fat të keq, edhe qeverinë shqiptare, e cila, edhe pse ka pranuar në tërësi se koncesionet nuk duhej të ishin dhënë, nuk duket se shqetësohet shumë për zbatimin e tyre. E vërteta e thjeshtë është se këto koncesione nuk duhej të ishin dhënë, pasi pasojat e tyre do të jenë katastrofike – mbi ekonominë, natyrën dhe mbi shoqërinë civile të Shqipërisë që nuk mund të mbajnë mbi vete një tjetër shembull të korrupsionit dhe makutërisë afatshkurtër që triumfojnë mbi arsyen e thjeshtë të shëndoshë.
Rezultatet afatgjata të këtyre zhvillimeve do të ishin tragjedi ekonomike dhe mjedisore dhe një çmim shumë i lartë do të paguhej nga brezat e ardhshëm. Ndërkohë që kuptohet se ndërtuesit nuk merakosen fort për këtë çmim, të vjen keq të konstatosh se qeveria shqiptare duket se nuk ndjen as brerje ndërgjegjeje dhe as përgjegjësi, as për barrën që i ngarkohet të ardhmes, as për zgjedhjet që mund t’u mohohen brezave që vijnë.
Ndonëse është vonë, ende nuk është tepër vonë. Tani është koha e duhur. Në rast se dëgjohet zëri i arsyes, ai duhet të dëgjohet tani. Bëje zërin tënd të dëgjohet! Dita e sotme është një ditë shumë e zezë në Valbonë, shumë e zezë pavarësisht se qielli është i kaltër dhe moti i shkëlqyer, pasi, në rast se kjo do të ndodhë këtu, në kundërshtim të hapur me ligjin, e ardhmja është e zezë për Shqipërinë.
Unë kam ardhur këtu sepse e dua Shqipërinë siç e gjeta dhe besoj se Shqipëria është më e mirë se ajo çka po ndodh tani. Së bashku mund të kërkojmë diçka më të mirë. Një nga amerikanët më të shquar, Thomas Jefferson, ka shkruar dikur: “Nëse ndonjëherë do të vendosja që të kemi një qeveri pa gazeta apo gazeta pa qeveri, nuk do të hezitoja asnjë çast për të zgjedhur të dytën”.
Kjo, pasi ai kishte kuptuar se gazetat, që sot i quajmë “media” ishin zëri i popullit, kërkesa për drejtësi, kërshëria e pashuar që të kemi një botë më të drejtë, më transparente. Po u shtoj edhe diçka këtyre që shkrova. Ka kaq shumë argumente për të ndaluar këto zhvillime dhe për të patur një bashkëbisedim inteligjent se si të zgjidhim situatën e tmerrshme që kemi trashëguar të gjithë bashkë. Qeveria pretendon se nuk mund të bëjë asgjë, pasi e ka “trashëguar” problemin. Po kush, në fund të fundit, do ta trashëgojë shkatërrimin e Valbonës?