Analistët: Koalicioni PAN – LAA, asht i mundshëm

Njohësit e rrethanave politike në vend nuk e kanë përjashtue mundësinë e arritjes se nji koalicioni qeverisës ndërmjet PDK-AAK-Nisma dhe LDK-AKR-Alternativa.

Ndonëse të dyja palët tash për tash e kundërshtojnë nji gja të tillë, analistët politikë, Behxhet Shala dhe Imer Mushkolaj, kanë thanë për gazetën Epoka e re se nuk duhet nxanë besë qëndrimeve kundërshtuese të palëve mbasi, simbas tyne, këto subjekte politike edhe ma herët kanë vendos vija të kuqe për t’i ngrit pazaret, pastaj i kanë shly vijat e kuqe.

“Asnji koalicion nuk asht i pamundun në t’ardhmen, sepse Isa Mustafa, Lutfi Haziri dhe këta të tjerët që po kundërshtojnë çdo bashkëpunim me koalicionin PAN, e dinë se në fund të fundit, po të duen ndërkombëtarët, mbrenda natës e bajnë”, asht shpreh Behxhet Shala, tue shtue se kundërshtimet tash po bahen për me ngrit pazarin.

“Tash për tash po bahet nji përpjekje për me ngrit pazarin sesa që asht nji synim i vendosun për të mos hy në Qeveri”, ka thanë Shala.
Edhe analisti tjetër politik Imer Mushkolaj ka thanë se nuk duhet nxanë besë shumë subjekteve politike që betohen se nuk do të bajnë koalicion.
“Ramush Haradinaj edhe mundet me sigurue ndonji votë ma shumë. Në Kosovë njihet fenomeni i kontrabandimit, ‘peshkimit’ të deputetëve për përfitime materiale. Pra, deklaratave të subjekteve politike, se nuk do t’ja bajnë assesi votat Haradinajt, nuk asht për me ju besue, ngaqë ka nga to që në të kaluemen kanë deshmue se nuk e mbajnë fjalën”, ka thanë Mushkolaj.