Baba i psikoanalizës: 10 fakte të veçanta mbi jetën e Freud’it

Më 23 Shtator 1939 vdes Sigmund Freud, themeluesi i psikoanalizës. Ai vdiq në Londër, ku kishte ikë nga Vjena pak mbasi trupat naziste hynë në Austri më 1938, ndërsa katër motrat e tij qëndruen në Vjenë.

Ato vdiqën në kampet naziste të përqendrimit. Ana Freud, ma e vogla nga gjashtë fëmitë e tij, u ba nji psikoanaliste e njohun. Freud doli i pari me idenë se mendja asht e ndame në tri pjesë: Id, Ego dhe Superego. Simbas Freud’it, Uni ose Ego asht vija e parë e mbrojtjes së vetes nga tjetri, tue u përpjekë të balancojë dy ekstremet, Id dhe Superego.

sigmund_freud_h_19-00009416-900x600

Vdekja e tij erdhi në moshën 83-vjeçare nga nji dozë vdekjepruse morfine. Idetë e tij radikale mbi mendjen e njeriut transformuen psikologjinë dhe mbeten kontradiktore edhe në ditët e sotme. Me rastin e 77-vjetorit të vdekjes së tij, mësoni 10 fakte interesante mbi jetën e babës së psikologjisë moderne.

1- Vdekja e tij mund të quhet nji vrasje e shtyeme prej vetë atij

Në verën e 1939, Freud ishte i dobët dhe vuente nga dhimbje të forta të kancerit të gojës. Me 21 Shtator të 1939, ai preku dorën e mjekut dhe mikut të tij, Max Schur dhe i kujtoi premtimin e bamë ma herët që të mos e torturonte pa qenë nevoja. Ai tha: “Tashma kam me pasë vetëm torturë dhe nuk ka asnji kuptim”. Mbasi mori lejen e çikës së Freud, Anës, mjeku i injektoi tre doza të nalta morfine. Mbas kësaj, ai ra në koma dhe nuk u çue ma kurrë.

2- Ai pinte duhan vazhdimisht gja që çoi në 30 operacione kanceri

sigmund-freud-h_5-01603540-900x600

Ai u ba i mvarun nga pimja e duhanit që prej moshës 20-vjeçare. Freud ndalonte çdo ditë për të ble duhan dhe shpesh tymoste ma shumë se, 20 cigare në ditë. Pamvarësisht paralajmërimit të mjekëve mbi pasojat e duhanpimjes, ai besonte se duhani e ndihmonte në rritjen e produktivitetit dhe kreativitetit.

3- Freud mendonte se kokaina ishte nji drogë mrekullibamëse

Në vitet 1880, interesi i tij për kokainën u shtue. Madje u dha doza kokaine miqve dhe grues së tij të ardhshme. Freud eksperimentoi me përdorimin e kësaj droge dhe ndjehej i rigjeneruem mbas marrjes së kokainës së tretun në ujë. Mbas publikimeve se, kokaina krijonte mvarësi dhe mbidoza shkaktonte vdekje, ai hoqi dorë prej saj, por vazhdoi të përdorte atë në mënyrë të kontrollueme për trajtimin e migrenës dhe depresionit.

4- Ai refuzoi ofertën 100.000 dollarëshe prej Hollywood

Në 1925, ai u ba shumë i njohun edhe në Shtetet Bashkueme të Amerikës. Prodhuesi i filmave, Samuel Goldyn i ofroi “specialistit ma të mirë të dashnisë në botë” siç e quente ai, 100.000 dollarë për t’i shkrue nji skenar filmi. Por, Freud e refuzoi ofertën pamvarësisht çmimit të majmë.

5- “Interpretimi i andrrave” ishte nji dështim në aspektin e shitjes së librit

Libri i konsideruem si vepra ma e randësishme e punës së Freud, tërhoqi shumë pak vëmendjen e publikut, kur u botue në vitin 1899. Vetëm 351 kopje të “Interpretimit të andrrave” u shitën gjatë 6 viteve të para të botimit. Botimi i dytë nuk u publikue deri në vitin 1909.

6- Shtrati i tij ishte dhuratë nga nji paciente

couch-900x600

Kur Freud filloi atë që ai e quejti “kura e të folunit” në psikanalizë, ai i mbështeste pacientët e tij në nji shtrat të mbuluem më nji tepih persian. Ky shtrat ishte dhuratë mirënjohje nga nji paciente me emnin, Madame Benvenisti.

7- Nazistët i djegën librat e tij dhe e detyruen të largohej nga Austria

Edhe pse ai ishte nji ateist, ishte lindë në nji familje hebreje dhe u ba shënjestër e nazistëve gjatë kohës kur ata ishin në pushtet. Nazistët i djegën librat e tij në vitin 1933, ndërsa ai u shpreh: “Çfarë progresi që po bajmë? Po të ishim në Mesjetë kishin me m’djegë mue, ditët e sotme mjaftohen me djegien librave të mi”.

8- Katër motrat e tij vdiqën në kampet e përqendrimit të nazistëve

Mikesha e tij princesha Bonaparte, u përpoq të pshtonte edhe motrat e tij, por dështoi. Freud vdiq disa javë mbas shpalljes së Luftës së Dytë Botnore. 4 motrat e tij që mbetën në Vjenë u dërguen në nji kamp nazist, ku edhe vdiqën.

9- Freud studioi jetën seksuale të ngjalave

Kur u regjistrue në Universitetin e Vjenës, ai studioi zoologji. Në nji udhëtim për arsye studimore në Trieste për të hetue organet seksuale të ngjalave, profesori i tij e caktoi të gjente testikujt e këtyne specieve. Pamvarësisht se kaloi shumë orë tue zbërthye organet e ngjalave ai hoqi dorë nga kjo detyrë.

10- Disa grabitës janë përpjekë të vjedhin hinin e varrit të tij

Mbas vdekjes së tij, hini i mbetun nga djegia e trupit u vendos në nji vazo të lashtë greke që mikesha e tij Bonaparte i kishte dhurue. Kur edhe grueja e tij, Marta ndërroi jetë, hini i saj u shtue në vazo dhe u ruejt në Londër. /TiranaObserver