Betohet: Hashim Thaçi nga UÇK në Presidencë

Presidenti i gjashtë i Kosovës u kunorzue sot. Mbas Ibrahim Rugovës, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacollit, Jakup Krasniqit e Atifete Jahjagës këtë post nga sot e për të paktën 5 vitet e ardhshme ka me e mbajtë Hashim Thaçi, ish-Kryeministri i Kosovës, udhëheqësi i Delegacionit Kosovar në Rambuje e Bruksel, ish-drejtuesi politik i UÇK’s, ish zv-Ministri i Jashtëm e Zv-Kryeministri.

Ne seancën solemne, ftesës për me nderue Presidentin iu përgjigjën shumë ambasadorë të huej, derisa të ftuem ishin edhe ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, por jo edhe Behgjet Pacolli, ish-Kryeministri Bajram Kosumi, por jo edhe Bajram Rexhepi, ish-kryeparlamentari Nexhat Daci, por jo edhe Jakup Krasniqi.

E pak para orës 11:00, në Kuvend u panë deputetët nga partia që Thaçi udhëhoqi deri para nji mueji.

As në holl nuk u pa asnji deputetë nga 3 subjektet opozitare, por të gjithë iu nënshtruen kontrollit, që po praktikohet tash e disa muej.

Në sallë nuk u panë disa nga deputetët e LDK’s si, Vjosa Osmani, Adem Salihaj, Arben Gashi, Armend Zemaj e Anton Çuni.

E pos flamurit 3 ngjyrësh, Presidenti i sapozgjedhun kishte vendosë që edhe lulet që zbukuronin sallën me qenë pikërisht me këto 3 ngjyra të shtetit të Kosovës.

Thaçi erdhi në sallë bashkë me tashma ish-Presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga, e mbas pak nisi seanca solemne e betimit.

E në fjalën e tij të parë si President, Hashim Thaçi siguroi qytetarët se ka me qenë faktor unifikues politik, madje ai e ka falenderue edhe Presidenten Jahjaga për punën e bame në këto 5 vjet.

Presidenti i ri nuk la pa i thurre lavdata edhe vetes se tij.

Mirëpo, jo gjithçka shkoi mirë gjatë fjalës së Presidentit të ri. Disa persona nga jashtë Kuvendit kanë gjuejtë me gurë në drejtim të sallës, ku Thaçi sapo nisi fjalimin. E derisa ndigjoheshin goditjet me gur, Ministri i Punëve të Mbrendshme, Skënder Hyseni, u pa tue komunikue në telefon, me siguri me pjestarë të Policisë, sepse simbas dëshmitarëve që ndodheshin jashtë Kuvendit, Policia arriti me i arrestue 2 prej tyne.

Asnji befasi! Vetëvendosja e pranoi se dy të arrestuemit janë aktivistët e saj, ndërsa policët rrxuen njani-tjetrin tu’ u mundue me i kapë ata.

E mbas betimit e nënshkrimit të detyrës së re, u intonue himni shtetnor i Republikës së Kosovës, ku spikat edhe ngritja në kambë e përfaqësuesve serbë, përfshi këtu zv-Kryeministri Stojanovic dhe Ministri Maric, po edhe të deputetëve të komunitetit serb.

Derisa seanca mbaroi e deputetët po shpërndaheshin, ish-Presidentja Atifete Jahjga bani dorëzim-pranimin e detyrës në zyrën që deri sot ishte e saj.

Mbas gjysë ore, ajo largue pa thanë asnji fjalë.

Megjithatë, ajo ka me qenë edhe nji herë në qendër të vëmendjes, nesër, gjatë ceremonisë së përurimit të Presidentit Hashim Thaçi.