Bilanci i tërmetit në Meksikë: 237 viktima dhe 1900 të lënduem

Prioriteti në Meksikën e goditun të Martën nga nji tërmet i magnitudës 7,1 tash asht shpëtimi i jetëve.

Presidenti Enrique Pena Nieto u zotue për fokusim maksimal të vëmendjes në këtë drejtim, ndërsa sqaroi se ka pranue ndihmën e disa vendeve të hueja, përfshi këtu Shtetet e Bashkueme, Spanjën dhe Japoninë, përkrah shteteve të tjera të Amerikës Latine, të mësueme tashma me fatkeqësi të tilla natyrore.

“Qeveria dhe e gjithë shoqnia jonë asht përball mbrenda ma pak se dy ditësh me nji interes dhe solidaritet masiv, pasojë e tërmetit që goditi pjesën qendrore dhe jugore të vendit. Përparësia jonë vazhdon me qenë shpëtimi i njerëzve dhe vëmendja mjekësore për ata që kanë nevojë.

Deri tash, ma shumë se 50 vetë janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat e ndërtesave të shembuna në Mexico City.

Ekipet e emergjencës po punojnë për gjetjen dhe shpëtimin e personave që ende rezultojnë të zhdukun në kryeqytet dhe në Puebla”, tha Presidenti i vendit.

Ma shumë se 1 900 persona kanë marrë trajtim mjekësor vetëm në Mexico City, por shumica e tyne tashma kanë dalë nga spitalet.

Bilanci i vdekjeve nga lëkundjet e dhunshme të tokës asht fiksue aktualisht në 237.

Ka nji sërë godinash në kryeqytet të damtueme aq keq, sa rrezikojnë shembjen e po mbahen nën vëzhgim.

Dame strukturore mësohet të kenë pësue ma shumë ndërtesat ekzistuese përpara tërmetit shkatërrimtar të vitit 1985, mbas të cilit u vendosën rregulla ma t’ashpra në sektorin e ndërtimit.

Punëtorët e shpëtimit janë në garë me kohën për nxjerrjen e të mbijetuemve nga gërmadhat e vëmendje e madhe i asht kushtue operacionit që po zhvillohet në nji shkollë të Mexico City, ku asht arritë me komunikue me nji 13-vjeçare të bllokueme, e cila mendohet se ka gjetë mbrojtje nën nji tryezë. /Tch

Shperndaje në: