Blici serb: Serbia e ka vështirë, Kosova ka ambasadë dhe lob të fuqishëm n’Amerikë

Analisti politik serb nga Washingtoni, Obrad Kesic, thotë se asht e vështirë të dihet saktësisht shuma e parave e cila arrinë për lobimin shqiptar në SHBA.

“Mjetet definitivisht vijnë nga Shqipnia, përmes firmave që kryejnë punë për shtetin, e më pas financojnë bashkësitë shqiptare në Mal të Zi, Maqedoni… Mjetet arrijnë edhe nga Prishtina, Kosova këtu ka ambasadë, aktiviteti i së cilës asht shumë i madh. Përfundimisht, paraja arrinë edhe nga bashkësia gjithnji e ma e madhe shqiptare në SHBA. Edhe pse në mesin e tyne ka pakënaqësi, të gjithë pajtohen rreth pamvarësisë së Kosovës, thotë Kesic.

Ai për gazetën serbe Blic, thotë se edhe pse administrata e Trump’it nuk asht aq e dhanë ndaj interesave të shqiptarëve siç ishte ma parë, në  Departamentin Amerikan edhe ma tej ekzistojnë zyrtarë të cilët në mënyrë sentimentale janë të lidhun me mbështetjen për shqiptarët e Kosovës, percjell lajmi.net.

Në anën tjetër, Serbia nuk ka as lob të fuqishëm në SHBA e as pare për me lobue.

Nji deklaratë e tillë e Kesic’it asht ba në tekstin e gazetës serbe me titull propagandues “Shqiptarët i japin Trump’it miliona për presion Serbisë”.

Kjo gazetë shkruen se Presidenti Trump merr miliona nga shqiptarët për me i ba presion Serbisë me njoft pamvarësinë e Kosovës.

“Shqiptari ma i pasun, Behgjet Pacolli asht financuesi kryesor i Shqipnisë së Madhe dhe nuk kursen mjete me lobue në të gjithë boton, respektivisht në Amerikë, për Pamvarësinë e Kosovës”, shkruen gazeta.

Tutje gazeta e pranon se Serbia e ka të vështirë të përballet me fuqinë që ka Kosova jo vetëm në SHBA, por edhe në Europë.

“Derisa po afron koha e zgjidhjes përfundimtare të problemit të Kosovës, pala shqiptare ka pozicion të fuqishëm nga i cili nuk dëshiron të lëkundet me asnji çmim”, shkruen gazeta serbe.