Çfarë dhurate të çmueme i kishte çue Hitleri Zogut për dasëm?!

Derisa jep nji panoramë të zhvillimit të ceremonisë së dasmës së çiftit mbretnor në Tiranë, (në atë kohë sapo ishte krye Anschluss-i, apo Bashkimi i Austrisë me Rajhun Gjerman), gazeta vjeneze “Illustrierte Kronen-Zeitung” e datës 28 Prill 1938, nuk ka lanë pa i dhanë nji vend të veçantë edhe lajmit për dhuratën që diktatori gjerman, Adolf Hitler i kishte ba sovranit shqiptar me këtë rast.

Ma konkretisht, aty thuhet: Dhurata e Dasmës nga Führer’i. Führer’i dhe Kancelari i Rajhut, i ka përcjellë përshëndetje të përzemërta Madhnisë së tij, Mbretit të Shqiptarëve për martesën dhe si dhuratë për dasmën i ka dhurue atij nëpërmjet të dërguemit gjerman në Tiranë, autokerrin ma të ri të uzinës “Mercedes-Benz”, nji Cabriolet tetëcilindërsh sportiv.

Artikulli në gazetën vjeneze mban titullin “101 të shtana gjëmojnë në Tiranë -Shqipnia ka nji Mbretneshë”.

Siç dihet, shtypi dhe media e kohës në tanë Europën e shoqnoi me informacione të bollshme, reportazhe e korrespondenca ngjarjen, e cila tashma ka hy në histori si nji nga ngjarjet ma të spikatuna të shekullit të kaluem ndër shqiptarët, jehona e të cilës vazhdon të mbetet e gjallë edhe sot e kësaj dite.