Cila ka me qenë renditja e partive në sallën e Kuvendit?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ende nuk ka ba certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 11 Qershorit, ku koalicioni PAN doli i pari, Vetëvendosje e dyta dhe koalicioni LAA i treti.

Nëse përqindjet e votave të fitueme në zgjedhjet e 11 Qershorit kthehen në ulëse të Kuvendit, përbamja e re e legjislativit ka me u dukë afërsisht me 39 apo 40 deputetë të koalicionit të PDK-AAK-NISMA. Mandej, me 31 apo 32 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, kurse koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës – me 29 ulëse.

Komunitetet mbeten në kuotat e njajta: serbët marrin 10 ulëse dhe pakicat tjera po ashtu 10 vende të garantueme.

Tue pasë parasysh numrin e deputetëve të secilës parti, renditja e tyne në sallën e Kuvendit të Kosovës – simbas ish-shefit Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu – bahet përmes Rregullores së punës së Kuvendit. Baraliu ka thanë për Telegrafin se parimisht duhet që koalicioni PAN – nëse rrijnë bashkë – t’i kenë në nji vend ulëset.

Por, Nisma për Kosovën ka ba të ditun se në Legjislaturën e ardhshme  ka me veprue si grup i vetëm. Lidhun me këtë, Baraliu theksoi se për renditjen në sallën e Kuvendit do duhej të merrej Kryesia dhe Sekretaria e Kuvendit.

Edhe Albert Krasniqi nga Demokracia në Veprim, ka thanë për Telegrafin se renditja e partive në sallën e Kuvendit bahet në bazë të certifikimit të rezultateve – si koalicion PAN.

“Edhe nëse Nisma dhe AAK dalin nga koalicioni, prapë të drejtën për me propozue kandidatin për kryetar të Kuvendit, dhe mandej të drejtën në herën e parë për formimin e Qeverisë, e ka PAN si koalicion zgjedhor”, ka thanë Krasniqi.

Por, Baraliu thekson se në rast se gjykojmë në bazë të partisë, e cila ka numrin ma të madh të ulëseve, atëherë Lëvizjes Vetëvendosje do duhej t’i caktohet pozicioni qendror i ulëseve. Por, kjo, simbas tij, mvaret nga interpretimi i dispozitave të rregullores së punës së Kuvendit.

Kujtojmë se, simbas Rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, Neni 8, renditja e partive në sallën e Kuvendit bahet kështu: “Nëse dy apo ma shumë grupe parlamentare kanë numër të njajtë të deputetëve, atëherë renditja e tyre në sallë bahet me short”. /Telegrafi/