Clinton vs Trump: Debat apo ndeshje boksi?

Kur Hillary Clinton të përballet për herë të parë me Donald Trump në skenën e debatit me siguri që ka me pasë shkëndija, por pyetja mbetet nëse ana e damtueme e kandidatëve mund të fitojë mbi nji publik skeptik.

Kandidatja demokrate për president, Hillary Clinton dhe rivali i saj republikan, Donald Trump kanë kalue muaj të tanë tue goditë njani-tjetrin, por të Hanën në mbramje, për herë të parë ata kanë me qenë në gjendje për ta ba këtë ballë për ballë, në debatin e parë presidencial nga tre të tillë.

Debati 90 minutësh në universitetin “Hofstra” në Long Island të New Yorkut shënon fillimin e fazës finale të fushatës presidenciale para zgjedhjeve të 8 Nandorit.

Sondazhet janë ngushtue javët e fundit, edhe pse Clinton doket se asht ende në avantazh, ndërkohë që disa sondazhe kanë kallxue se Trump ka nji avantazh mbarëkombëtar, mbas muejsh kur Clinton mbante nji pozicion të fortë.

“Mundësitë janë me të vërtetë të nalta”, tha Aaron Kall, nji profesor në Universitetin e Miçiganit, i cili ka shkrue nji libër mbi debatet presidenciale.

“Të dy kandidatët janë kaq të ndryshëm dhe ata kanë pikëpamje radikale të ndryshme si dhe interesi asht i naltë gjatë tanë kohës”, shtoi Kall.

Interesi i madh pritet të prodhojë nji numër rekord të shikuesve.

Televizioni ”Ad Week” tha se “ma shumë se 80 milionë shikues mund të ‘mobilizohen’ për të pa debatin, nji shifër që tejkalon atë të vitit 1980, kur presidenti Jimmy Carter u përball me rivalin e tij Ronald Reagan”.

Asnjani kandidat nuk asht i shumëpëlqyem dhe që të dy po luftojnë për të fitue nji numër të vogël të votuesve të pavendosun, për të mbajtë mbështetësit aktualë dhe për të mbledhë mbështetësit e painteresuem që të votojnë.

“Clinton ka nevojë të tërheqë ma shumë votues të ri në kampin e saj si dhe republikanët, të cilët janë kundër Trump, ndërsa Trump duhet të punojë për ta mbajtë të bashkueme partinë e tij ende të copëtueme”, tha politologu, Larry Sabato i Universitetit të Virgina.

Kandidatët po i përdorin ditët para debatit për me u pregaditë për skenarë të mundshëm.

“Clinton asht angazhue në debatet tradicionale tallëse dhe po merr në konsideratë nji shumëllojshmëni të strategjive të Trump, ndërkohë që Trump po ndërmerr nji mënyrë ma pak konvencionale, tue u takue me këshilltarët”, simbas gazetës së përditshme, “The New York Times”.