Deklarata e Krasniqit për komandantët, nxit reagime për luftën e UÇK’s

Nji deklaratë e deputetit të Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, rreth komandantëve të UÇK’s dje në Kuvendin e Kosovës, ka nxitë reagime të shumta.

Krasniqi tha se kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN Ramush Haradinaj, po mbahet për komandant, por se po tutet me shkue në seancë. Madje, Krasniqi tha se Haradinaj asht i gatshëm me i ra në gjuj Listës Serbe dhe siç tha ai kriminelit, Ukë Rugova.

Ndaj këtyne deklaratave ka reague deputeti nga LAA, Labinot Tahiri, cili i doli në mbrojte Haradinajt dhe luftës së UÇK’s.

Reagim ndaj deklaratave të Krasniqit ka pase edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK në Dukagjin, tue thanë se komandantët e tyne nuk duhen me qenë cak i fyemjeve nga askush, e sidomos nga persona të inkriminuem, e të akuzuem për sulm terrorist ndaj institucioneve e rendit demokratik.

Nëpërmjet nji shkrimi në “Facebook”, ka reague edhe ish deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, i cili ka thanë se luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e së cilës ishte edhe vetë, nuk mundet me njollosë askush.

Deklaratat e Krasniqit i dënoi edhe anëtarja e kryesisë së PDK, Blerta Deliu-Kodra, tue thanë se duhet me ju ardhë marre atyne që përbuzin luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I vetmi që i doli në mbrojte Krasniqit, ishte bashkëpartiaku i tij, Dardan Molliqaj, tue thanë se nuk kanë të drejtë me folë për UÇK’n ata që simbas tij janë rreshtue në ‘koalicionin e krimit’.