Dëshmi tronditëse: Qysh u masakruen klerikët katolikë në Shqipni gjatë diktaturës

881 vjet burg (afër 9 shekuj) kryen priftërijtë që kishin kryee studime në 24 universitete të Europës.

28 prej 38 martirëve të fesë katolike nuk kanë hiç varr.

Dëshmitë ma rrëqethëse të denja për në Mesjetë: Mbasi ja prenë kambët me sakicë, Dom Lazer Shantoja u pushkatue, Papa Josif Papamihali u mbyt në lloqin e kënetës së Maliqit, Ata Serafin Koda vdiq mbasi hetuesi e mbyti me thoj në fyt, Maria Tuci u mbyll në thes me nji mace dhe e qëllonin me shkop.

Krejt klerikët katolikë shqiptarë gjatë diktaturës komuniste kanë krye së bashku 881 vjet burg ose afro 9 shekuj. Ndërkohë që të tanë klerikët katolikë shqiptarë kishin krye së bashku 450 vjet studime në 24 universitete të Europës.

Mbas 22 vjetesh punë kërkimore shkencore, nga e tanë kjo e dhanë rrëqethëse, Vatikani përzgjodhi mes tyne 38 klerikë tue i shpallë martirë, prej të cilëve vjen nji fakt edhe ma rrënqethës: 28 prej 38 martirëve nuk kanë hiç varr.

Krejt këto shifra u banë publike dje gjatë emisionit “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, nji emision që u shëndrrue në homazh për klerikët martirë në nder të të cilëve sot në Shkodër ka me u mbajt ceremonia e lumnimit të tyne.

Drejtori i Institutit të Teologjisë dhe Filozofisë në Shkodër At Mario Imperatori, nji nga organizatorët e kësaj ceremonie Dom Mark Shtjefni si dhe studiuesit Parçel Hila dhe Dorian Koçi sollën në vëmendje të publikut fakte, të dhana dhe dëshmi unikale që nuk ishin ndigjuae ma parë lidhun me persekutimin e klerit katolik shqiptar. Mes 38 klerikëve të shpallun martirë, nji ishte gjerman, nji polak dhe nji italian. Edhe në insertin special të emisionit u banë publike për secilin martir fundi i tyne tragjik, mes të cilëve kanë me u veçue si ma të randat:

Dom Lazer Shanto, mbasi hetuesi ja preu kambët me sakicë, e pushkatuen dhe e hodhën në nji gropë pa emën.

At Serafin Koda, vdiq mbasi hetuesi i futi thojtë në fyt në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Maria Tuci, mbsi refuzoi me u ba e dashuna e kryetarit të degës së Mbrendshme të Shkodrës, u torturue tue e futë në nji thes të mbyllun bashkë me nji mace dhe e qëllonin me shkop.

Papa Josif Papamihali, u torturue dhe u mbyt në lloqin e kënetës së Maliqit.

Imzot Jul Bonati, u mbyll pa qenë i smutë në çmendinën e Durrësit dhe vdiq derisa mjekët ban me të eksperimente si nji kavie.

Dom Aleksandër Sirdani, mbasi u tërhoq zvarrë i lidhun mbas nji kali, u mbyt në nji gropëfekalesh.

E megjithatë, ata shprehën besnikni ndaj Jezu Krishtit, në të cilin besonin si At Gjon Shllaku që përpara se ta pushkatonin tha: Rrnoftë Krishti mbret. I falim armiqtë tanë!