Eposi i Kreshnikëve të Kosovës, çmim special në Europa Nostra

Pranimi i Kosovës në shtëpinë ma të madhe të futbollit europian UEFA, si dhe dhanja e rekomandimit për liberalizim të vizave, nuk ishin të vetmet lajme të mira që i erdhën Kosovës në këtë javë. Kjo sepse projekti shkencor “Eposi i Kreshnikëve-monument i trashëgimisë kulturore shqiptare në Ballkan”, asht fitues i sivjetëm i Çmimit Special të Jurisë së Europa Nostra për vitin 2016.

Bartësi i këtij projekti Zymer Neziri, tha për Televizionin Rrokum se ky projekt ka nji vlerë të veçantë për Republikën tone, sepse vendet e Europës, eposin e tyne e kanë vetëm të shkruem dhe të arkivuem, shqiptarët, Eposin e Kreshnikëve e këndojnë ende.

Neziri shtoi se edhe pse ky hulumtim asht disa shtetnor, çmimi Europa Nostra shkon drejtëprdrejtë për Kosovën, sepse propozimi ka shkue direkt nga Prishtina dhe kjo i ndihmon edhe ndërkombtarizimit të kulturës së Kosovës.

Këshilltari Shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, tha se ky Institut në bashkëpunim me Institutin e Tiranës kanë përfundue dosjen e Eposit të Kreshnikëve dhe e kanë dorëzue atë në Qeverinë e Kosovës, e tash pritet që mbas pranimit të Kosovës në UNESCO, kjo dosje me hy në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të mbrojtun nga kjo organizatë ndërkombëtare.

I pyetun se a po rrezikohet mbijetesa e eposit të Kreshnikëve nga trendet e reja të muzikës, Neziri tha se në Kosovë vazhdon me pasë bartës të ri, por se megjithatë nuk mund të thuhet se mbijetesa e Eposit nuk rrezikohet.

Projekti hulumtues shkencor “Eposi i Kreshnikëve, Monument i Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në Ballkan” asht zhvillue në Kosovë, Shqipni, në Krajë dhe Malësi të Madhe të Malit të Zi, në zonat e Kumanovës dhe Kërçovës në Maqedoni, si dhe në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe përbahet nga 15 vëllime në kangë dhe tregime të shkrueme.