Etnologu serb Ivan Colovic me libër për mitin serb për Kosovën

Miti për Kosovën, vazhdon me qenë nji ngarkesë që populli serb i ndikuem nga propagandat nacionaliste, që nuk po arrijnë me i tejkalue.

Por, ky mit ka fillue me u prekë nga historianë dhe intelektualë nga vet Serbia.

Etnologu serb, Ivan Colovic, ka publikue së fundi nji libër dedikue kësaj çashtje të titullueme “Vrasja në Fushë Kosovë – historia e mitit të Kosovës”.

Në nji intervistë për mediumin serb “Novi Magazin”, Colovic ka thanë se ky mit për Kosovën, ka fillue me u përdorë në shekullin 19 nga grupet nacionaliste serbe, gjatë formimit të shtetit serb.

Ai ka folë se qysh serbët e kanë përvetësue Betejën e Kosovës, e cila simbas tij, përdorët si rast historik nga tana kombet në Ballkan, përfshi edhe shqiptarët.

Etnologu serb thotë se qysh mitet për Kosovën, princ Llazarin, Betejën e Kosovës, Vidovdanin, në bashkëpunim me grupet nacionaliste dhe kishën Ortodokse Serbe, i kanë futë edhe te grupet e huliganëve në mesin e simpatizantëve sportivë, të cilët mandej patën efekt edhe në zhvillimin e luftave në vendet e ish-Jugosllavisë.

“Egziston nji funksion për çdo mit, për të cilin flasin antropologët, e ai asht që njerëzit dhe gjanat, për të cilat flitet të paraqiten si diçka që për të cilën nuk duhet diskutue, diçka që asht tabu dhe e shejtë”, ka thanë Colovic.

IMG_1970

Simbas tij, ky mit nuk i takon kombit serb. Ai sqaron se për Kosovën flitet ma herët në rastin e Ilirisë, mandej në fiset jugore sllave, Austrohungarinë. Mandej në rastin e Milos Kopilicit (serb. Obiliq), thirren malazezët, serbët, boshnjakët, kroatët dhe shqiptarët.

“Asht interesant se qysh miti mbi Kosovën, sikurse çdo mit tjetër politik, ka nji status të nji historie të pandryshueshme dhe të paprekshme, që si e tillë, mundet me përcjellë shumë mesazhe politike. Për këtë arsye, politikën e tyne, vazhdimisht e kanë lidhë me shejtërinë e Kosovës edhe grupet radikale dhe liberalët, komunistët edhe nazistët”, ka thanë ai