Fakte të përzgjedhuna nga jeta e çuditshme e Enver Hoxhës

enver_hoxha_1968

“Ma shumë se 30 vjet mbas vdekjes së tij, diktatori për nji kohë të gjatë i Shqipnisë, Enver Hoxha, mbetet nji enigmë. Ai mund të mos ketë qenë njeriu i madh i letrave që mendonte se ishte, por Hoxha ishte sigurisht ma i lexuem, ma i vetëdijshëm kulturalisht dhe ma kozmopolit se shefat proletarë në vendet e tjera të Europës Lindore”.

Kështu shkruen Marcus Tanner për BIRN, në nji shkrim që i kushtohet publikimit anglisht të librit të gazetarit Blendi Fevziu për Enver Hoxhën.

“Nuk mund të imagjinohet, fjala bjen, banditi i Gjermanisë Lindore, Walter Ulbricht, tue lexue gazetën ‘Le Monde’ gjatë kafes së mëngjesit, siç bante Enver Hoxha. As s’mundesh me mendue që lideri jugosllav, Josip Tito, të kalonte shumë kohë në bibliotekë, ndërkohë që Enver Hoxha nga ana tjetër kishte nji koleksion të madh prej mbi 20 mijë volumesh, që pasunohej vazhdimisht me listën e botimeve të fundit në Francë.

Materiali i importuem për lexim nuk ishte i mbushun me trakte për marksizëm-leninizmin. Shijet e Hoxhës për librat ishin eklektike. Ai kishte kërkue mes të tjerash edhe libra për jetën e Papëve dhe shejtëve katolikë, madje edhe libra mbi vampirët”, shkruen Tanner.

Simbas gazetarit, sundimtari i padiskutueshëm i Shqipnisë për 41 vite kishte mundësinë të ishte lideri ma i ndriçuem i bllokut komunist.

Por, ai bani të kundërtën.

Ndryshe nga Gjermania Lindore, Çekosllovakia apo Hungaria, Shqipnia ku kundërshtarët nuk pushkatoheshin ma dhe feja nuk përndiqej, ndërsa disidentët toleroheshin diqysh, Shqipnia ishte si nji kamp përqendrimi i sigurisë maksimale.

Tanner thotë se ka nji arsye pse libri i Fevziut asht kaq i mirëpritun.

“Pjesërisht për shkak se ka pak studiues anglishtfolës që e kuptojnë shqipen, ky njeri i çuditshëm dhe i keq nuk ka nji biografi siç duhet në anglisht, prandaj libri i gazetarit shqiptar Blendi Fevziu asht kaq i mirëpritun”.

“Çdokush që pret nji version revizionist të karrierës së Hoxhës, nji pikëpamje ma të butë për krimet e tij, ka me u zhgënjye. Fevziu e përshkruen Hoxhën si nji psikopat paranojak”.

“Në vitet e fundit, Fevziu shkruen se Hoxha bante nji jetë të vetmueme, për shkak se kishte vra kaq shumë miqtë e luftës sa nuk i kishte mbetë kush për të folë”.

“Xheloz për kado që kishte pretendime intelektuale, diktatori i dhanë mbas librave e kishte mbushë Byronë Politike me njerëz të trashë dhe pa arsim. Ata mund të ishin besnikë, por nuk i ofronin shumë për të stimulue bisedat”.

Libri “Enver Hoxha, Grushti i Hekurt i Shqipërisë”, asht publikue nga IB Tauris.