Fjalimi frymëzues i hoxhës atdhetar Ali Kraja, mbi varrin e Fishtës: Me ty, Patër Gjergj, kombi naltësohet dhe madhnohet para popujve të tjerë

Hafiz Ali Kraja ishte figurë e madhe shqiptare, i pajisun me dije dhe me kulturë, i kthjellët në mendime dhe tepër i qartë në misionin e tij fisnik.

Ai rrezatonte nji mirësi të thellë dhe ishte mjaft i dashun e i respektuem me të gjithë njerëzit, pa dallim feje, krahine e bindje politike. Por, krahas këtyne virtyteve tepër të nalta që gëzonte, ai gjithashtu ishte nji armik i papajtueshëm dhe hasëm i përjetshëm me të keqen, e në veçanti ajo që e dallonte nga të tjerat, ishte nji armik i betuem i doktrinës komuniste.

Intelektuali i famshëm mysliman nga qyteti i Shkodrës, veç tjerash asht tepër i njohun edhe për fjalimin e tij brilant mbi varrin e Gjergj Fishtës në 31 Dhetorin e vitit 1940.

Fjalimin e tij mundeni me lexue ma poshtë:

“Poet kombëtar, Pater Gjergj!

Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë shumë, janë të mëdhaja edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se për të cilën duhet të flitet…

Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politike tanden do ta gjykojnë në bazë të ‘Lahutës së Malcisë’, kryevepra jote monumentale.

Të jesh i bindun, o Poet i Madh se shqyptari me ‘Lahutën e Malcisë’ ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë helenët me Iliadën e persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar…

Me ty, Patër Gjergj, kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”.