“Fëmitë e të rritunit po i përdorin barnat si narkotike ilegal”

Tue qenë avokat, Arianit Koci thotë se i ka ra shpesh me u marr me rastet kur fëmitë apo të ritë kanë përdor substanca narkotike.

Kjo bani që avokati me shkruejt dhe me u marr ma shpesh me këtë fenomen, dhe thote se e ka kuptue që në Kosovë kur flitet për narkomani, mendohet veç në përdorimin e narkotikëve, drogave të ndryshme.

“Por kjo asht gabim”, thotë Koci.

Simbas tij, në Kosovë dhe në shumë vende tjera ka fillue me të madhe me u keqpërdor barnat nga të ritë.

Shumë fëmi por edhe të rritun, thotë Koci, mendojnë se ilaçet apo barnat shtëpiake që janë në shitje të lirë, apo edhe ato që jepen me recetë, janë ma të sigurt se narkotikët ilegal.

Nuk është e saktë!Përdorimi i barnave pa lejen dhe kontrollin e mjekut, e posaçërisht koktejet e ndryshme, janë njëjtë apo në disa raste, edhe më të rrezikshme se narkotikët ilegal”, shkruejti Koci në Facebook.

Ma poshtë mundeni me lexue shpjegimin e Kocit për disa nga llojet e barnave që përdoren si drogë.
Janë disa lloje të hapave, që mund të jenë në çdo shtëpi kosovare, e që potencialisht mund të keqpërdoren nga ana e fëmijëve:
Barbituratet

Fenobarbitoni një kohë është keqpërdorur shumë nga ana e të rinjve kudo në botë.
Përdoret për shërimin e epilepsisë. Aq sa kam mundur ta vërej, në Kosovë çdo ditë e më pak keqpërdoret.
Hapat për fjetje

Ka një paletë e tërë e ilaçeve për gjumë.
Fatkeqësisht, te ne është rritur konsumimi i tyre nga ana e të rriturve dhe rrjedhimisht edhe fëmijët kanë qasje më të lehtë.
Nëse përdoren një kohë të gjatë këto hapa, krijohet varësi e rëndë prej tyre.
Shumë persona pas një kohe, e kjo vlen edhe për ne kosovarët, nuk mund të flenë pa këto hapa.
Keqpërdoren prej të rinjve, edhe nga shkaku se në barnatore mund të sigurohen relativisht lehtë.
Benzodiazepinët

Në grupin e benzodiazepinëve, apo siç i quajnë – sedativëve janë: Diazepami, Lorazepami, Bromazepani etj.
Gati çdo shtëpi i ka te ne.
Indikacionet për përdorimin e tyre janë: anksioziteti dhe pagjumësia.
Shkaktojnë varësi të fortë dhe të shpejtë psikike dhe fizike.
Përdorët shumë në koktej – party, e adoleshentëve të Prishtinës.
Analgetikët

Padyshim, disa prej ilaçeve që më së shumti keqpërdoren janë analgjetikët – opijatet. Këto barëra e ndalin dhimbjen, por në doza më të mëdha, shkaktojnë sjellje euforike dhe kanë efekte anësore të rrezikshme dhe të paparashikueshme.
Adoleshentët, ilaçin oksikodon e shtypin dhe e marrin përmes hundës, duke e kombinuar me pirje të alkoolit. Kombinimi i analgjetikëve dhe alkoolit, mund të shkaktojë vdekjen.
Brufeni si ilaç që e ndal dhimbjen është padyshim top hapi që keqpërdoret edhe për faktin se çdo shtëpi kosovare e ka apo e ka pasur ndonjëherë.
Amfetaminat
Keqpërdorimi i amfetaminave mundëson rritjen e energjisë dhe largon gjumin.
Normalisht, shumë lehtë krijohet varësia, dhe përdorimi i këtyre ilaçeve pa kontroll të mjekut shkakton rrahje të pakontrolluar të zemrës, në disa raste edhe sulm në zemër dhe ngritje të temperaturës trupore.
Në rrugë, amfetaminët i thërrasin – Speed dhe përdorën në rave party, ku vallëzohet tërë natën.
Dextrometorfani

Shumë ilaçe kundër ftohjes dhe kollit e kanë Dextrometorfanin në përbërje të vet.
Blihet pa recetë.
Adoleshentët e përdorin shumë, për shkak se është substancë në sirupët kundër kollit.
Doza e madhe shkakton halucinacione dhe ndenjën e euforisë.
Të gjithë këto substanca, shumë shpesh edhe kombinohen. Madje edhe organizohen të ashtuquajtura ” koktej farma – party”.
Në këto ndeja, apo farma – party siç i quajnë, çdo i ftuar merr hapa me vete dhe të gjitha i përziejnë dhe fillojnë me eksperimente të kombinime të ndryshme të hapave dhe alkoolit. Pjesëmarrësit shkëmbejnë përvojat dhe ndikimet e hapave. Normalisht, muzika nuk mungon. Sidoqoftë, pasojat mund të jenë fatale.