Foto e rrallë e Mit’hat Frashërit, si udhëheqës i Komitetit ‘Shqipnija e Lirë’

Diplomati kosovar, Bashmir Xhemaj, në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, ka publikue nji fotografi, të papublikueme ndonjiherë.

Shkrimi i tij:

Një foto e rrallë e Mit’hat Frashërit, si udhëheqës i Komitetit “Shqipnija e Lirë” teksa bëhej gati tu drejtohej shqiptarëve përmes radios BBC në Londër, në Shtator të 1949. Përgjatë pesë minutave, ai u foli shqiptarëve për të keqen që e kishte gjetur Shqipërinë nga komunistët: “Pushtimi i Shqipërisë prej komunistëve dhe largimi i aleatëve nga toka jonë detyroi shumë shqiptarë që të marrin udhën e mërgimit, jo për t’u larguar nga rreziku komunist, sa për të vazhduar veprimtarinë e tyre dhe për të mos prerë marrëdhaniet me fuqitë liberale të oksidentit me të cilët kanë qenë në kontakt edhe në Shqipëri”.
Ky vit, përkon edhe me fillimin e operacionit diversant të CIA-së në Shqipëri, ku Komiteti kishte barrën kryesore të rekrutimit të shqiptarëve që do të hidheshin në Shqipëri, pjesë e të cilëve u bë edhe Destan Berisha nga Prizreni.
Në këtë foto, bashkë me Frashërin janë edhe një pjesë e anëtarëve të Komitetit, si Abaz Kupi, Seit Kryeziu dhe Nuçi Kota.