Gazeta zvicrane: ‘Konflikti’ i 3 shteteve për me përvetësue Nanën Tereze!

Nesër, e Dielle, Papa Francesco ban shejtnimin e Nanë Terezës. Jehona që i bahet kësaj ngjarje asht e madhe, jo vetëm në mediat shqiptare. Kështu, gazeta prestigjioze zvicrane NZZ i kushton nji artikull “konfliktit” që kanë tri vende të Ballkanit lidhun me “të drejtën e pronësisë” që ato pretendojnë me pasë mbi Nanë Terezën.

Nanë Terezës i asht shtrue shpesh pyetja mbi prejardhjen e saj. Nga gjaku jam shqiptare, nga feja, katolike dhe nga qytetaria, indase. Por ajo i takon gjithë botës ndërsa zemra e saj i takon vetëm Krishtit, thuhet se ka qenë përgjigja e Nanë Terezës.

Sali Berisha, ish kryeministri i Shqipnisë, që vjen nga nji familje myslimane, ia doli që murgeshën e lindun në Shkup ta bajë heroinë nacionale. Tue e shpallë si mishnim të “nanës shqiptare”, ai provoi në vitin 2009 t’i sillte në Shqipni mbetjet mortore të Nanë Terezës. Por, indasit e refuzuen ftoftë këtë kërkesë.

Mirëpo, edhe kështu, Nanë Tereza asht gjithkund e pranishme: Aeroporti i Tiranës mban emnin e saj dhe portreti i saj zbukuron objektin e Gjykatës Supreme. Në Shkodër qëndron shtatorja e saj jo larg nga xhamia Abu-Bakr dhe nji numër i madh i shesheve mbajnë emnin e saj.

Edhe në Kosovë, ku 90 për qind të banorëve janë myslimanë, kulti i Nanë Terezës nuk asht i pakontestuem.  Kur, në vitin 2011 në Prsihtinë u ndërtue nji katedrale gjigante për nder të Nanë Terezës, Bashkësia Islame kishte kërkue që aty të ngritej edhe nji xhami po aq e madhe.

Pretendime për Nanë Terezën kanë edhe fqijtë maqedonas, shkruen ma tutje NZZ, të cilët e madhnojnë atë si “bijë të Shkupit”.