Gazetari amerikan rrëfen tmerrin si i burgosun në Siri

Në vitin 2012, gazetari i pamvarun Theo Padnos shkoi në Siri për me mbulue luftën civile, por menjiherë u rrëmbye nga anëtarët e nji dege të al-Qaidas.

Të bindun se ai ishte agjent i CIA’s, sepse Padnos fliste arabisht, militantët e mbajtën atë afro dy vjet, përpara se ta lironin në Gusht të vitit 2014.

Padnos, i cili me prejardhje asht nga Massachusetts, ka përshkrue rrugëtimin e tij në dokumentarin e titulluem “Theo Who Lived”, që ka me u shfaq më 30 Shtator në Cambridge.

Premiera teatrale do të shfaqet në New York City më 7 Tetor dhe më pas ka me u shfaqë edhe në vende të tjera.

Gazetari 47-vjeçar, që po jeton në Paris dhe Vermont, i ka tregue Associated Press se sa mirënjohës asht që ka mbijetue.

Kjo përvojë e hidhun jo vetëm që ka ndryshue mendimin e tij për jetën, por i ka dhanë edhe nji perspektivë mbi konfliktin sirian dhe ai e ndjen se sa asht e randësishme që me ndajë me të tjerët.

Padnos asht tue shkrue nji libër, nji skenar dhe nji roman me vizatime për eksperiencën e tij.

Ai kishte shkrue për rrëmbimin e tij në revistën New York Times Magazine mbasi ishte lirue edhe si gazetar po vazhdon me shkrue artikuj për këtë rajon.

“Kam pasë nji rrugëtim të vërtetë shpirtnor, që për mue dhe familjen time, në atë kohë ishte gja e frikshme”, thotë Pandos.

“Por, kur shikoj mbrapa dhe e kuptoj se kjo asht ajo që më ka dhanë jeta, unë due që ato që kam mësue nga kjo eksperiencë me i kthye në përfitim pozitiv”, ka shtue ai.