Historia prekëse e Gabrielit, 9 vjeçari shqiptar me tumor që e njohin miliona amerikanë

Gabrieli 9-vjeçar asht nji shqiptar me banim në SHBA, i cili asht përballë me nji betejë të vështirë: kancerin. Gabrieli Grada u shfaq fillimisht në nji seri për kancerin tek fmitë në faqen shumë popullore në Facebook, “Humans of New York”.

“Ndihem mirë. Sapo kam mbarue raundin e fundit të kimioterapisë. Sapo bana grafitë dje. Mbarova edhe rrezatimin. Nëse grafitë dalin në rregull, s’ka ma kemio!”, thotë Gabrieli.

9-vjeçari asht diagnostikue vjet me tumor në tru. Prindët e tij thonë se për ta, ky lajm ishte shumë i randë.

“Ishte shumë, shumë e randë për mue. Si babë, si njeri, si prind. Nuk di çfarë me thanë. E kam rritë si shokun tim të vogël. Ishte diçka e pabesueshme”, thotë Bledar Grada, baba i Gabrielit.

Për prindët e Gabrielit, Arjela dhe Bledar, viti i fundit e ka transformue jetën e tyne rrajsisht.

Mbas operacionit për heqjen e tumorit, ata pritën për nji kohë të gjatë përgjigjen e biopsisë. Përgjigjja ishte nji goditje shumë ma e randë se e para.

“Gabrieli ka nji formë shumë të rrallë kanceri që quhet Descmoplastic Small Round Cell Tumor. Ky tumor deri para 20 vjetësh, as nuk ishte përkufizue ende”, thotë doktor Paul Meyers, mjeku që ndjek Gabrielin në Qendrën e Kancerit “Memorial Sloan Kettering”.

gabriel-620x348

Vetëm rreth 50 raste identifikohen çdo vit në Shtetet e Bashkueme me këtë lloj kanceri dhe nji mjek i Memorial Sloan Kettering e kishte zbulue atë. Dr. Myers thotë se metodat e reja të zbulimit të diagnozës përmes ADN’s kanë ba të mundun diagnostikimin e Gabrielit.

“Ky kancer nuk asht gjetë pothuejse kurrë në tru, dhe kur sheh nji fëmi me nji tumor në tru, mendja të shkon në 100 diagnoza të tjera, para se me të shkue tek Descmoplastic Small Round Cell”.

Beteja filloi prapë dhe këtë radhë duhej me ba kimioterapi dhe rrezatim. Ndryshimi fizik i Gabrielit, ishte i menjihershëm.

“Dhe nga ndryshimi që pati Gabrieli, i menjihershëm fizik, çdo gja ndryshoi. Gabrieli u dobësue jashtë mase, vështirësitë e kimios ishin të shumta. Japin goditje në organet e tjera”.

“Pjesa ma e vështirë për mue? Kimioterapia! Më bani me i humbë flokët, – thotë ai tue heqë kapelen. – Më dha simptoma të çuditshme. Kisha temperaturë. Vetëm herën e parë nuk kisha temperaturë, sepse trupi ishte ende i fortë, por mandej në ciklet e tjera, fillova me u ndie gjithnji e ma i dobët”.

“Asht shumë e randë për nji prind me pa fmin e vet, pranverën e jetës së vet (përlotet)… të këputet…asht e randë”.

Historia e Gabrielit, Arjelës dhe Bledit, u përhap në tanë botën, kur ata u portretizuen në faqen shumë popullore të internetit “Humans of New York”. Krijuesi i saj Brandon Stanton, bani njëi seri ku rrëfente historitë e pacientëve peditarikë, prindëve, mjekëve, infermierëve…

Historia e Gabrielit ishte e para që u botue dhe fotot e tij dhe të prindëve të tij shoqëruen postimin për shpalljen e serisë. Dhe, si ndihet Gabrieli, tani që miliona e njohin historinë e tij?

“Më pëlqen, sepse më pëlqen me qenë i famshëm dhe se kështu ndihmoj edhe fëmi të tjerë me kancer”.

Dr. Meyers thotë se asht shumë e randësishme që seria e drejtoi vëmendjen tek çashtja e kancerit mes fëmive.

“E vuni në qendër të vëmendjes këtë çashtje kaq të randësishme dhe njerëzit u befasuen, por edhe e pritën mirë dhe menjiherë shprehën gadishmëninë me ndihmue”.

Kjo ndihmë u përkthye në afër 3.8 milionë dollarë që u grumbulluen, nji shifër e jashtëzakonshme që doktor Meyers thotë se ka me shërbye për kërkime kritike.

Gabrieli e ka mbarue kurën dhe ndihet ma mirë.

“Na shpresojmë dhe lutemi që ai me qenë mirë përgjithmonë, të rritet dhe që sëmundja me qenë thjesht nji detaj i vogël në jetën e tij”, thotë doktori Meyers.

Nji ditë mbas intervistës, mjekët i thanë Arjelës dhe Bledit që Gabrieli nuk ka ma kancer. /Rrokum.TV