I riu shqiptar hyn në historinë e universitetit të njohun belg

Nji i ri shqiptar ka hy në historinë e nji prej universiteteve ma prestigjoze të Belgjikës, VUB. Studenti shqiptar Arlind Cara asht i riu i parë jo vendas që mban nji fjalim në organizimin kryesor universitar në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik.

Kjo ceremoni cilësohet si nji ngjarje jo thjeshtë për Universitetin e njohun flamand, por edhe komunitetin holandisht-folës flamand që përban ma shumë se gjysën e popullatës në Belgjikë.

Jo vetëm prania e tij, gjithashtu edhe fjalimi i Carës ka pasë nji jehonë pozitive, jo vetëm ne mjediset universitare belge, por edhe nga mediat vendase në Belgjikë.

Fjalimi i të riut shqiptar që asht njikohësisht doktorant pranë departamentit të Shkencave të komunikimit në Universitetin e Tiranës, asht cilësue si nji nga pikat kulminante të ceremonisë.

Nji nga momentet kryesore të kësaj ceremonie ka qenë shqiptimi në holandisht i nji prej motove të Universitetit nga ana e studentit shqiptar, “Ik ben nu al redelijk eigenzinnig”. Frazë, e cila në shqip përkthehet: “Unë jam nji i ri kryefortësisht i arsyeshëm!”.

Nji ngjarje tjetër kulminante e ceremonisë universitare ka qenë edhe parakalimi i Bordit Akademik të Universitetit prestigjoz belg, VUB, së bashku me drejtues të universiteteve kryesore të Belgjikës e të ftuem të nderit të ceremonisë hapëse të Universitetit. Pjesë e këtij parakalimi ka qenë edhe i riu shqiptar, Arlind Cara.