Kadare: E vërteta e letrës që shkruejta me dorën time për Enverin (video)

Shkrimtari i njohun Ismail Kadare në nji intervistë për gazetaren Eni Vasili rrëfen momente të veçanta nga jeta e tij.

Në emisionin “Studio e Hapun”, Kadare flet për herë të parë përpara kamerave për letrën e tij drejtue Enver Hoxhës dhe kërkesën e tij për hapjen e dosjeve.

Ai ka tregue arsyet se përse letrën duhej me shkrue me dorën e tij, dhe të mos linte asnji kopje apo gjurmë të saj.

Kadare thotë se kjo ishte letra e vetme që i ka shkrue Enver Hoxhës.

Sakaq, ai ka komentue edhe polemikat me Fatos Lubonjën.

 

Pjesë nga intervista

Botimi i librit të Dashnor Kaloçit “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”, nga botuesi Çili, ju ka përfshirë në një polemikë me analistin Fatos Lubonja. Po kështu do të doja të flisja edhe për një botim të ri ditët e fundit nga gazeta Mapo që ka të bëjë me një dokument të dëshmisë së Lubonjës në lidhje me polemikën ku jeni përfshirë ju. Përpara kësaj a mund të na tregoni diçka më tepër për letrën që ju i drejtuar Çilit pasi ai ju bëri një thirrje për hapjen e dokumenteve që kanë emrin tuaj në dosjet e sigurimit të shtetit. Së pari çfarë e konsideroni këtë letrën tuaj dhe gjithë debatin rreth saj?

Kjo është diçka e njohur. Unë prej shumë vitesh kam kërkuar kur ka qenë rasti hapjen e arkivave të fshehta, dokumenteve të fshehta, organizmave të fshehta, të shërbimit shqiptar të sigurimit. Kjo nuk është një gjë e pazakonshme. Në çdo vend që pretendon të kalojë nga tirania në liri, një nga veprimet e para që mund të kërkojë është ai i hapjes së gjërave të fshehta që janë mbuluar me kujdes gjatë viteve të diktaturës. Në diktaturë sundon me mijëra mënyra, por me mënyra të fshehura thelbi vihet tek përgjimi i fshehtë. Dhe kështu që është një gjë e njohur. Gjermania e filloi, po kështu edhe vendet ish-komuniste. Gjermanët u treguan më të ndjeshëm pasi ishin djegur dy herë, nga dy diktatura të ndryshme, por edhe të ngjashme shumë, nazizmi dhe komunizmi. Shumë njerëz nuk iu pëlqen po të krahason këto dy lloj tiranish që kanë luftuar me njëra-tjetrën, por tiranitë shpesh ngjajnë, dhe do tentojnë prapë të ngjajnë nëse njerëzimi nuk do marrë masat për t’i shkulur. Dhe një nga masat për t’i shkulur, është zbulimi i arkivave të fshehta të tyre që të mos ketë me enigma mistere, të dimë ato ç’kanë ndodhur, sepse kanë ndodhur shumë gjëra dhe ne nuk dimë të vërtetën. Dimë një lloj të vërtete të stisur, dhe të paraqitur në formë gjysmë-teatrale dhe më keq akoma.

Le ta fillojmë me një letër që është botuar së fundmi në shtyp dhe që ka të bëjë me motrën tuaj, një letër që i drejtohej udhëheqësit. A mund të na thoni diçka më shumë rreth kësaj?

Po unë kam kërkuar vite më parë që të hapen arkivat e fshehta dhe më kujtohet një kritik, studiues i njohur francez, i cili njihet si eksperti numër një i komunizmit në botë, autori i librit që mund të gjendet edhe në shqip “Libri i zi i komunizmit”, ka një enciklopedi të diktaturave komuniste; më intervistoi dhe më pyeti: Z.Kadare a e keni menduar mirë që kërkoni këtë hapjen e arkivave, se ndodh që njeriu lë kudo ndonjë gjurmë, dhe mbase edhe ju keni lënë ndonjë dokument që s’do donit të hapej. Ndërsa unë në përgjigje i thashë se këtë gjë e kam menduar shumë mirë, dhe nuk jam aq thjesht nga mendja sa të harroj gjëra të tilla të mëdha. Ai më tha është qëndrim i adhurueshëm për mua, dhe e botoi këtë. Kur e botova këtu në Shqipëri 5-6 vite përpara shumë njerëz kanë rendur nëpër arkiva se kanë menduar të shikojë ky se ç’kemi për t’i nxjerrë ne. Dhe kjo është e vetmja letër që gjatë 40 viteve unë i kam bërë Enver Hoxhës. S’ka tjetër, dhe po e përsëris sot te juve këtë: Nuk ka letër tjetër që unë t’i jem drejtuar liderit absolut, tiranit absolut shqiptar gjatë 40 viteve, është vetëm kjo. Kjo letër është shkruar me dorën time, sepse kur kërkova t’i bëj një letër Enver Hoxhës, sekretari i tij më tha: Shoku Kadare ka disa kushte që ai ka dhe juve duhet t’i pranoni. Letrën duhet ta shkruani me dorën tuaj, të mos mbani kopje, të mos lini kopje askund, dhe të mos lini gjurmë askund të kësaj letre. Dhe unë e shkrova letrën me dorën time, e besova këtë, se kujtova se diktaturat nuk kanë ndonjë forcë mbinjerëzore për të verifikuar gjërat, por kujtoja se verifikonin ndoshta çdo gjë. Dhe letrën e pashë tani kur u botua në shtypin shqiptar.

 

Shperndaje në: