Keni andrrue me i kalue pushimet n’Londër. Tash asht koha!

Gjithmonë keni andrrue me i kalue pushimet në Londër? Tash asht koha me marrë nji biletë udhëtimi për atje.

Paundi ka ra me 14% kundrejt dollarit amerikan dhe me 11% ndaj euros, që nga momenti kur Mbretnia e Bashkueme votoi për me lanë Bashkimin Europian. Nji paund këmbëhej me 1.50 dollarë më 23 Qershor, ditën e referendumit, ndërsa tash këmbehet me ma pak se 1.29 dollarë, nji nivel rekord në 31 vitet e fundit.

Kjo situatë paraqitet e trazueme për tregjet financiare globale, por nga ana tjetër asht nji lajm i mirë për turistët që duen me vizitu Anglinë këtë vit.

Nji shembull i mirë asht hoteli luksoz i Londrës, “Langham”. Nji natë në këtë hotel me 5 yje para referendumit kushtonte 450 dollarë. Po tash? 387 dollarë.

“Buckingham Palace”, ku jeton Mbretnesha Elizabeth në pjesën ma të madhe të vitit, ka hapë dyert për publikun gjatë verës. Nji destinacion i përsosun turistik. Dy bileta për me vizitue pallatin, dhomën e saj, sallën mbretnore dhe galerinë e mbretneshës kushtojnë 95 dollarë. Dy javë ma parë, çmimi i kësaj vizite shkonte në 111 dollarë.