Këto janë detyrat e Kryeministrit të ri

Kushdo që bahet Kryeministër i Kosovës, simbas diplomatëve perëndimorë, atë e pret nji listë detyrimesh të pashmangshme, që prej ditës së parë.

“Kush me kend dhe pse ban koalicion, kjo nuk asht çashtja e jonë, por e vetë politikanëve shqiptarë”, ka deklarue ky diplomat.

Megjithatë, për të gjitha ambasadat relevante në Kosovë asht e randësisë sipërore çka ka me ba Qeveria e re e Kosovës, apo a ka me respektue në plotni nji agjendë të dakordueme tash e disa vjet, në realitet që prej se asht shpallë shteti i Kosovës, e cila ka randësi të madhe për vetë autoritetet vendore, qytetarët dhe për kryeqytetet perëndimore.

Kështu, simbas nji diplomati perëndimor, me kushte të anonimitetit, kushdo që don me marrë detyrën shumë të randë të Kryeministrit të Kosovës, ai duhet me dijtë që mbi tavolinën e punës e pret nji listë detyrimesh që nuk munden me u shmangë, që prej ditës së parë të punës së Qeverisë së re të Kosovës e tutje.

Në këtë listë gjithsesi janë edhe obligimet vijuese:

– Përmbyllja e Marrëveshjes kufitare me Malin e Zi, ose Ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje, pa të cilën nuk mund të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Këtu shtohet që dërgimi eventual i kësaj Marrëveshjeje në një arbitrazh ndërkombëtar, nuk do të mundësojë fitimin e të drejtës për të udhëtuar pa viza në Evropë.

– Vazhdimi i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, dhe inicimi i procesit të krijimit të Asociacionit / Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë. Në këtë çështje theksohet që Asociacioni / Bashkësia do të formohet në bazë të Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës, Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit, 2015, dhe Marrëveshjes së Parë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë të 19 prillit, 2013.

– Bashkëpunimin e plotë me Gjykatën Speciale në Hagë.

– Zbatimin e MSA-së.

– Bashkëpunimin e mirë fqinjësor me të gjitha shtetet fqinje.

– Luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, etj.

Qeveria e re e Kosovës, sipas burimeve diplomatike perëndimore në Prishtinë, duhet ta dijë që koha e fushatës parazgjedhore, por edhe e viteve që u mbizotëruan nga përplasjet politike të të gjitha llojeve, ku u përdor edhe dhuna, kanë marrë fund.

Të gjitha këto detyra dhe shumë të tjera që i takojnë interesit të qytetarëve të Kosovës, duhet të jenë prioritet absolut i Kryeministrit të Kosovës dhe kabinetit të tij. /Politiko.net/