Klerikët e botës bahen bashkë: Kjo asht thirrja e tyne (video)

“Rekomandimi ynë asht me ba miq, ndjekës prej të gjitha besimeve fetare”.

Feja shihet shpesh si nji forcë që mbjell përçamje midis njerëzve. Por udhëheqësit ma të shquem fetarë në botë janë bashkue për me shfaq nji vizion tjetër sesi feja mundet me funkcionue mirë për botën, shkruen sot Huffingtonpost.

Me nji gjest të rrallë, liderët fetarë të botës që nga Papa Francesku deri te Dalai Lama l’shuen nji thirrje të përbashkët tue ju kërkue njerëzve që të ndjekin nji këshillë të thjeshtë: Bahuni miq me njerëz të besimeve të tjera!

“Këshilla jonë asht me ba miq, ndjekës prej të gjitha besimeve fetare,” tha Ajatollah Sayyid Fadhel Al-Milani, nji nga klerikët ma të naltë të muslimanëve Shia në Britaninë e Madhe në nji video-mesazh.

“Kontakt personal, miqësi personale, për me mujt me shkëmbye shumë përvojë,” tha Dalai Lama.

Papa Francesku nga ana e tij vendosi me kallxue për miqësinë e tij të gjatë me rabinin argjentinas Abraham Skorska, që gjithashtu u shfaq në video.

“Jeta ime si besimtar u pasunue ma shumë me shpegimet e tij, kaq të vyeme,” tha Papa për Skorka’n. “Dhe unë uroj që kjo t’i ketë ndodh edhe atij”.

“Bani shokë” asht nji iniciativë e Institutit Ndërfetar “Elijah”, nji organizatë ndërfetare me zyra në Izrael dhe në SHBA.

Në nji njoftim për media, organizatorët thanë se misioni i projektit asht me kundërshtue idenë se njerëzit i shohin besimet fetare të njani-tjetrit me mosbesim apo përbuzje – dhe me shumë dëshirë, duen me pakësue dhunën e kryeme në emën të fesë.