Kur Siria mirëpriste refugjatët europianë të ikun nga tmerri i luftës, qe qysh i trajtonte!

Në vitet ‘40 në Halep të Sirisë (ashtu si dhe në Palestinë apo në Egjipt) janë strehue mija europianë, të cilët ishin largue nga tragjeditë dhe persekutimet e shumta të Luftës së Dytë Botnore.

Prej rreth 6 vjetësh që kur ka nisë lufta në Siri, miliona refugjatë kanë kërkue strehim në Europë nga deti dhe nga toka nëpërmjet Turqisë dhe Mesdheut.

Ashtu si 70 vite ma parë, mija refugjatë kanë përshkrue të njajtat rrugë, por në drejtim të kundërt. Nuk ishin sirianë, por europianë. Gjatë kulmit të Luftës së Dytë Botnore, Middle East Relief dhe Refugee Administration (MERRA) ka drejtue kampe në Siri, Egjipt dhe Palestinë, ku kanë gjetë strehim dhetna e mija njerëz nga Europa, transmeton Rrokum.TV.

Në arkiva gjenden shumë pak të dhana për demografinë e këtyne kampeve dhe informacion të limituem për mënyrën e jetesës në to. Shumica e të dhanave vijnë nga arkivat amerikane të Institutit të Shërbimeve Sociale në Arkivat Historike të Universitetit të Minnesota.

Nga këto arkiva janë gjetë raporte që janë ba për me përmisue gjendjen e kampeve. Simbas nji raporti, shumica e refugjatëve vinin nga Bullgaria, Kroacia, Greqia, Turqia dhe sidomos nga Jugosllavia.

Sapo mbërrinin në kampe, ata janë regjistrue dhe pajisë me karta identiteti. Mandej ju kanë nënshtrue nji kontrolli mjekësor dhe ma vonë janë dergue në “dushe” pastrimi dhe dezinfektimi për me u sigurue që ishin mjaftueshëm të pastër, e që me ju bashkue mandej pjesës tjetër të banorëve të kampeve. Mbas kësaj dërgoheshin në njësi banuese të ndame në bazë të përkatësisë gjinore: familjarët veç, burrat veç, dhe gratë veç.

Greeks_return_from_moses_wells

Nën mbikqyrjen e punëtorëve kanë mujt me ba shetitje ditore edhe jashtë kampit. Kanë mujt me vizitue dyqane në Halep, me shkue në kinema, apo dhe me u argetue me mënyra të tjera si: kafene dhe restorante sa për me dalë nga monotonia e kampeve.

Përsa i përket ushqimit, refugjatët merrnin gjysën e racionit të ushtrisë. Punëtorët janë mundue që për çdo ditë gjysa tjetër e racionit me u plotësue me ushqime që i përshtateshin kulturës dhe fesë së refugjatëve.

Ata që kishin pare apo mall për me këmbye kanë mujt me ble edhe ushqime shtesë simbas dëshirës në disa lloj dyqanesh.

Bile, në disa kampe kishte kuzhina për ato që dëshironin me gatue vetë ushqimet e tyne, transmeton Rrokum.TV.

Në disa kampe ofrohej edhe mundësia për me punue; dhe kjo ishte nji punë vullnetare dhe jo e detyrueshme. Disa kampe ofronin punishte në fushën e punës me dru, rrobaqepsi, punim leshi apo këpuctari./Rrokum.TV

Autorë: Evan Taparata & Kuang Keng Kuek Ser