Kuvendi dhe Qeveria e re në ‘duert’ e Presidentit

Hashim Thaçi
Presidenti Thaçi ka afat deri më 8 Gusht me thirrë mbledhjen konstituive të Kuvendit të dalë nga vota e 11 Qershorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 8 Korrik certifikoi rezultatet e zgjedhjeve pa ndryshime të mëdha nga rezultatet që i kishte prezentue ma herët.

Tani mbetet që deputetët e zgjedhun m’u betue në Kuvendin e Kosovës, me fillue punën dhe m’u votue për Qeverinë e ardhshme.

Mirëpo deputetët nuk mund të mblidhen në Kuvend pa vendos kreu i shtetit, Presidenti Hashim Thaçi.

Ligjet në fuqi, i lanë në dorë Presidentit të vendit thirrjen e mbledhjes së parë konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Neni 7 i Rregullores së Kuvendit thotë që Presidenti e thërret mbledhjen konstituive mbrenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve.

“Mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit e thërret Presidenti i Republikës së Kosovës brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve”, thuhet në Rregulloren e Kuvendit.

Pra, Presidenti duhet me thirrë mbledhjen konstituive ma së largu deri më 8 Gusht.

Mbas kësaj, seanca e parë legjislative bahet nga Kadri Veseli si kryetar i Kuvendit në legjislaturën e kalueme dhe Kryesia e Kuvendit e po asaj legjislature.

“Pregaditjet për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit janë përgjegjësi e Kryetarit nga legjislatura e maparshme”, përcaktohet në rregulloren e punës së Kuvendit.

Pastaj kryetari dhe Kryesia e Kuvendit të kaluem ftojnë kryetarët e partive që kanë hy në Kuvend për me bisedue mbi rendin e ditës së seancës konstituive.

“Kryetari dhe Kryesia, jo më pak se pesë ditë para mbajtjes së mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit thërrasin mbledhje të përbashkët me kryetarët e partive, që kanë fituar vende në Kuvend, për ta përgatitur propozimin e rendit të ditës për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit, për t’i caktuar vendet e deputetëve, përkatësisht të forcave politike në sallë, sipas fuqisë politike që kanë, sipas numrit të deputetëve të secilës forcë politike”, thuhet në paragrafin dy të nenit 7 të Rregullores së Kuvendit.

E deri sa të zgjidhen strukturat e Kuvendit, kryetari dhe Nënkryetarët e Kuvendit, punimet e seancës së Kuvendit i udhëheq deputeti ma i vjetër i Kuvendit të Kosovës, i cili do të ndihmohet në drejtim të seancës nga deputeti ma i ri i kësaj legjislature.

 

Presidenti përveç që e thërret mbledhjen e parë konstituive, ai e mandaton edhe kandidatin për Kryeministër./Kallxo.com