Ky asht fjalimi i President Thaçit n’Kuvend

hashimthaci

Prej sot Republika e Kosovës e ka presidentin e saj të ri, Hashim Thaçin, i cili edhe zyrtarisht bani betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

 

Fjalimi i plotë i Presidentit të Republikës së Kosovës:

 

Sot, është një moment i veçantë në jetën time.

Moment i krenarisë dhe përgjegjësisë.

Karriera ime politike dhe jetësore pasqyron zhvillimet nëpër të cilat ka kaluar Kosova në tri dekadat e fundit.

Jam angazhuar në të gjitha proceset që kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Jam i nderuar që jam pjesë udhëheqëse e të gjitha vendimmarrjeve për lirinë, pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit modern të Kosovës.

Si kryeministër i vendit kam shërbyer me tërë energjinë, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kosovën bashkërisht e kemi ndryshuar.

Tani do të jem në detyrë të re, me përgjegjësi të re.

Për një Kosovë të re, demokratike, evropiane dhe multietnike.

Kam shpresë dhe besim në vendin tonë dhe në qytetarët tanë.

Kam besim të plotë në institucionet e Kosovës, në parlament, në qeverinë e vendit.

Kam besim që do të vazhdohet me qeverisje të mirë.

Me këtë rast falënderoj edhe presidenten Jahjaga për kontributin gjatë mandatit të saj, si unifikuese e faktorit politik dhe qytetar të Kosovës.

Si president do të jem garant i respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve, mbrojtës dhe përfaqësues i interesave të Kosovës.

Do të jem faktor unifikues politik dhe qytetar, përfaqësues i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, feje, race dhe gjinie.

Do t’i afirmojë më tutje vlerat sublime të Deklaratës së Pavarësisë dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Qëllimi dhe vizioni i qytetarëve të Kosovës është integrimi në Bashkimin Europian, në NATO si dhe miqësia e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Do të punojë për kultivimin e mëtutjeshëm të të drejtave dhe lirive të njeriut, për reformat në drejtësi, në arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, për sjelljen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Qytetarët e Kosovës meritojnë jetë të qetë, vende pune dhe mirëqenie sociale të standardeve europiane.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Shteti i Kosovës është njohur nga 111 vende të botës.

Është anëtarësuar në shumë organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Në ditët në vijim presim rekomandimin për liberalizimin e vizave, ku qytetarët e Kosovës, si gjithë evropianët, do të lëvizin lirshëm.

Do të përmbyllin procesin e formalizimit për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, si forcë multietnike e standardeve euroatlantike.

Shteti i Kosovës po afirmohet çdo ditë.

Kosova sivjet për herë të parë do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.

Po punojmë që sa më parë të anëtarësohemi në UEFA dhe FIFA.

Të nderuar qytetarë,

Sot, Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Kosova po zhvillon marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit.

Shteti i Kosovës është i zotuar të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në këtë proces e kemi pasur dhe do ta kemi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Të dy vendet dhe popujt tanë kanë të kaluar të hidhur mes vete.

Të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, por jemi të zotuar të mos e përsërisim.

Ta ndërtojmë të ardhmen, bazuar në vlerat tona tradicionale më të mira dhe ato euroatlantike.

Të dy vendet duhet të punojmë që të anëtarësohemi sa më shpejtë në Bashkim Evropian, duke lehtësuar njëra-tjetrën, e jo duke e penguar.

Dialogu nuk ka alternativë, por tani ai duhet të ketë dinamikë dhe energji të re, vendimmarrëse dhe implementuese.

Si president i vendit, edhe sa i përket dialogut, do të punojë për ndërtimin e një konsensusi sa më të gjerë politik dhe qytetar.

Kosova do të punojë në mënyrë edhe më aktive, për t’u bërë anëtare në nismat rajonale, evropiane dhe ato botërore.

Kosova do të punojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë që të bëhet anëtare e OKB-së.

Kosova është pjesë aktive e bllokut antiterrorist në botë.

Do të jemi të pa kompromis në luftë kundër fundamentalizmit dhe çdo elementi ekstremist, kudo dhe kurdo që paraqitet.

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Jam i vetëdijshëm se të jesh President i Kosovës është nder dhe përgjegjësi e madhe politike, kombëtare dhe kushtetuese.

Këtë detyrë zotohem se do ta kryej në bashkëpunim dhe komunikim të ngushtë me juve.

Ne jemi krenarë me të kaluarën tonë heroike.

Shumë breza u sakrifikuan për të ardhur këtu ku jemi sot.

Sot, nga ky vend edhe një herë shpreh konsideratën më të lartë për të gjithë ata që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Shpreh mirënjohje për kontributin e presidentit Ibrahim Rugova dhe për sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari.

Të nderuar deputetë,

Në angazhimet e mia do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, traditën e mirë të qytetarisë, kriteret dhe vlerat euroatlantike.

Gjithmonë do të nisem nga oferta ime për dialog politik, ndërpartiak, për komunikim me shoqërinë civile, me media, biznesin dhe iniciativat e lira.

Si kreu i shtetit do të ruajë, kultivojë dhe përfaqësojë unitetin e popullit të Republikës së Kosovës.

Ju faleminderit!

Hvala vam!

Teshekyrler!

Thank you!