Ky asht populli që e zbuloi Adem Salihaj para ‘Ibrahim Rugovës’

Adem Salihaj, deputet i LDK’s në Kuvendin e Kosovës, ka ba nji ‘zbulim’ shumë të madh.

Se si e ka zbulue që në Afganistan ka gjysë milioni mbasardhës të Ilirëve, këtë vetëm ai e di.

Kjo mbasi në konferencën për media të mbajtun në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ në Prishtinë, deputeti këtë nuk e sqaroi.

Kështu, në konferencën e thirrun, Salihaj deklaroi se në hapësinat e Afganistanit jetojnë nji popull që quhet Kalasha, e që numëron 500 mijë banorë.

“Ky popull perdorë fjalë shqipe dhe ka tradita si tonat”, tha Salihaj.

Simbas tij, ata perdorin fjalët shqipe për emnimin e vendbanimeve, si për shembull malet që janë rreth tyne e që kanë emnat si Bubullima apo Rrokullisje.

Madje, Salihaj deklaron se edhe instrumente muzikore i kanë me emna shqip si lahuta.

“Ky popull nuk ka të bajë asgja me atë afgan dhe pakistanez”.

Tue qenë i bindun për këtë, Salihaj tregon tjetër detaj që simbas tij deshmon se ky popull asht me origjinë ilire.

“Në martesat e tyne, ata betimin e bajnë me fjalët ‘derisa të vdes, besa besë”, tha ai, raporton lajmi.net.

Madje për këtë shprehje, thotë se ka edhe video.

“E kanë edhe ‘qenin Ilir’ që na i themi ‘qeni i Sharrit’ dhe duket se këta kanë origjinë nga trevat e Rugovës”, tha Salihaj para mediave.

Ai deklaroi se edhe besimi i këtij populli asht ai çfarë kanë besue iliret.

“Për këtë janë ba analiza nga 4 shqiptarë por edhe nga të huejt”, u shpreh Salihaj, pa tregue ma shumë detaje se kush janë ata që kanë krye këto analiza.

Madje për ma tepër, Salihaj tha se këtë çashtje ka me shtrue edhe në Kuvendin e Kosovës, ku ka me kerkue që Kosova dhe Shqipnia me dergue atje nji ekspeditë.

Tue përfundue, Salihaj tha se ky popull me prejardhje ilire në Afganistan asht krijue mbasi atje kanë mbet që nga koha kur paraardhësit e tyne ishin ushtarë të Aleksandërit të Madh.

Por deputeti Salihaj duket se ka harrue me permend se ky version “i zbuluem” asht raportue kohë ma parë në dokumentare të ndryshme dhe në media, nji prej te cilave mundeni me gjetë edhe KETU.

Por ata janë në Pakistan e jo në Afganistan.

 

adem-salihaj